
Në pritje të mbledhjes së nesërme për hapjen e 53 mijë zarfave të votave të Greqisë që u bllokuan me kërkesë të PS, kryekomisioneri i KQZ merr vendimin e ri.
Partitë garuese do kenë vetëm nga një vëzhgues në qendrat e numërimit te “Feti Borova”. Shoqëria Civile duhet të aplikojë deri nesër në 12:00, subjektet deri në 24:00
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi anulon pothuajse të gjitha akreditimet për vëzhguesit e partive në qendrat e numërimit për votat e diasporës në parkun olimpik “Feti Borova”.
Sipas vendimit të firmosur dhe vulosur sot nga kryekomisioneri, theksohet se secili prej 11 subjekteve politike në garën elektorale do të ketë vetëm nga një vëzhgues të akredituar pranë grupeve të numërimit apo të ndarë sipas qarqeve, kurse për të tjerët ai anulohet.
Do të lejohen vetëm vëzhguesit e mediave me akreditim dhe ata ndërkombëtarë. Do të lejohen vëzhgues edhe nga shoqëria civile, por vetëm pasi të bëjnë aplikimin sipas procedurave.
Kërkesat duhet të paraqiten në KQZ deri ditën e nesërme, deri në orën 12:00 për shoqëritë civile dhe deri në 24:00 për ata të partive politike.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimimi brenda 3 ditëve nga shpallja e tij, sipas ligjit.
Ky vendim duket se merret në prag të mbledhjes së nesërme që do zhvillohet pas kërkesës së PS për të nisur numërimi i votave të bllokuara të diasporës së Greqisë. PS ka akuzuar Celibashin për shkelje të ligjit me pranimin që në fillim të kërkesës së PD për të bllokuar këtë numërim. Nesër mund të vendoset hapja dhe numërimi i 53 mijë zarfeve nga Greqia.