Lajme

“Krishti u ngjall! Me të vërtetë u ngjall!” – Mesazhi i Pashkëve nga Imzot Gjergj Meta

Në atmosferën e Pashkëve, festa më e madhe për të krishterët, Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta, ka përcjellë një mesazh të ndjerë urimi në emër të gjithë Kishës Katolike në Shqipëri.

Duke theksuar rëndësinë shpirtërore të kësaj dite të shenjtë, Imzot Meta ka uruar jo vetëm besimtarët katolikë, por edhe ata ortodoksë dhe ungjillorë, pasi këtë vit të gjitha degëzimet e krishterimit kremtojnë Pashkët në të njëjtën ditë.

Në mesazhin e tij, ai solli në vëmendje kontrastin mes festimeve solemne dhe realitetit të vështirë me të cilin përballen shumë njerëz në Shqipëri, sidomos në zonat e varfra e të shpopulluara. “Shpesh, përpiqemi të reklamojmë të shenjtën në rrjetet sociale, ndërkohë që shumë familje jetojnë në dhembje dhe mjerim. Zoti është aty, shpesh i heshtur – sepse misionin për të ndryshuar realitetin e kemi ne,” tha ai.

Imzot Meta theksoi se urimi për Pashkët nuk duhet të jetë një klishe, por një angazhim real për të qenë pranë atyre që vuajnë. “Nuk ka kuptim të urosh Pashkët, nëse nuk bëhesh Pashkë ti vetë. Por që të bëhesh Pashkë, duhet të bëhesh më parë Kryq”, tha ai me thellësi shpirtërore.

Ai e mbylli mesazhin me një thirrje të fuqishme për unitet dhe veprim konkret në jetën e përditshme, që liturgjitë e Pashkës të mos mbeten vetëm brenda mureve të kishave, por të kumtohen në realitetin e përditshëm të njerëzve.

“Po ju uroj të gjithëve, katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë: Krishti u ngjall! – Me të vërtetë u ngjall!” përfundoi Imzot Gjergj Meta.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button