Kosova

Zbardhen detaje të reja nga aksioni në Kaçanik – Në mesin e të arrestuarve, një ish-polic dhe një ish-ushtar i FSK-së

Aksioni i Policisë së Kosovës i zhvilluar në orët e para të mëngjesit në Kaçanik po vazhdon ende, ndërsa janë zbardhur detaje të reja lidhur me personat e arrestuar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka konfirmuar për mediat se operacioni është i lidhur drejtpërdrejt me hetimet për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, i cili u ekzekutua para pak javësh në qendër të Kaçanikut.

Sipas burimeve të sigurta të IndeksOnline, ndër shtatë personat e arrestuar gjenden edhe një ish-polic dhe një ish-ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët dyshohet se i janë bashkuar një grupi të organizuar ekstremist.

Njëri nga personat kyç të arrestuar është Rejhan Bela, një 18-vjeçar që, sipas hetimeve, dyshohet të jetë ekzekutori kryesor i rreshterit Lika. Në momentin e kryerjes së krimit, Bela ishte vetëm 17 vjeç. Autoritetet dyshojnë se vrasja është kryer me paramendim dhe është pjesë e planifikimeve të këtij grupi të rrezikshëm.

Pas arrestimit, të gjithë të dyshuarit janë dërguar në stacionin policor, ku pritet të intervistohen nga prokurori i rastit. Ky i fundit do të vendosë për masat e mëtejshme ligjore ndaj tyre.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button