
Një studim i fundit nga shkencëtarë të Suedisë dhe Gjermanisë paralajmëron se përhapja e mushkonjave tigër në Evropë është duke u përshpejtuar si pasojë e ndryshimeve klimatike, duke rritur ndjeshëm rrezikun që sëmundje tropikale si ethet e dengës të bëhen endemike edhe në kontinentin e vjetër.
Sipas ekspertëve, pothuajse gjysma e popullsisë globale është aktualisht e ekspozuar ndaj sëmundjeve të tilla si ethet e dengës dhe chikungunya, viruse që dikur kufizoheshin vetëm në zonat tropikale, por që tani po përhapen për shkak të rritjes së temperaturave globale.
Studimi thekson se shpërthimet e këtyre sëmundjeve janë bërë më të shpeshta dhe më të rënda që nga viti 2010, në përputhje me trendin e ngrohjes globale.
Të dy viruset përhapen përmes pickimit të mushkonjave dhe mund të jenë potencialisht fatale. Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh e kockash, të përziera dhe skuqje të lëkurës, sipas raportit të publikuar nga Politico.
Mushkonja tigër, e njohur për rezistencën dhe përshtatjen e saj, po lëviz gjithnjë më në veri të Evropës, ndërsa rritja e temperaturave të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor krijon kushte të favorshme për shumimin e saj.
Vetëm në vitin 2024, i cilësuar si viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, në Bashkimin Evropian u raportuan 304 raste të etheve të dengës, kryesisht në Itali, Kroaci dhe Spanjë. Ky numër tejkalon shifrën totale të rasteve të raportuara në 15 vitet e mëparshme, që ishte 275.
Ndërkohë, në vitin 2023 u shënuan 130 raste, ndërsa gjatë gjithë periudhës 2010–2021 ishin raportuar vetëm 71 raste në total, duke reflektuar një rritje alarmante të përhapjes së virusit.
Ky zhvillim ngre shqetësime të mëdha për autoritetet shëndetësore evropiane, të cilat përballen me sfidën e përgatitjes për përhapjen e mundshme të sëmundjeve që deri tani konsideroheshin ekskluzivisht tropikale.