Lajme

Sali Berisha në Krujë: Qeveria ka zhdukur 130 milionë euro, pas 11 majit nis epoka e hetimeve dhe reformave

Kreu i opozitës, Sali Berisha, gjatë një takimi me punonjës të një biznesi fason në Krujë, akuzoi ashpër qeverinë për keqmenaxhim të buxhetit dhe zhvatje sistematike të fondeve publike. Ai u zotua se pas 11 majit, kur priten zgjedhjet, do të nisë një epokë e re me reforma të thella ekonomike dhe hetime të forta ndaj abuzimeve me fondet e shqiptarëve.

“Ne do pastrojmë shtëpinë dhe do gjejmë çdo qindarkë që është vjedhur nga shqiptarët ndër vite,” deklaroi Berisha, duke akuzuar qeverinë aktuale për krizën ekonomike, mungesën e investimeve dhe shpopullimin e vendit.

Berisha kritikoi kryeministrin Rama për përçmim ndaj sektorit fason, duke e cilësuar atë si industri të botës së tretë. “Ju jeni krenari kombëtare për cilësinë e prodhimit tuaj. Ndaj prodhimi do të jetë një nga shtyllat kryesore të programit tonë ekonomik,” u shpreh ai.

Në fjalimin e tij, Berisha u ndal edhe te mungesa e investimeve të huaja, duke theksuar se Shqipëria është bërë joshëse vetëm për korrupsion, jo për zhvillim. Ai premtoi ulje të ndjeshme të tarifave publike dhe të taksave bashkiake, si dhe përmirësim të arsimit dhe shëndetësisë.

Duke folur për krizën demografike, Berisha u shpreh se “Shqipëria po vdes”, duke theksuar se në disa qytete ka pasur vetëm një lindje gjatë gjithë vitit 2023. Ai premtoi bonuse për fëmijët e lindur dhe politika që nxisin rritjen e lindshmërisë.

Një ndër akuzat më të forta ishte ajo për zhdukjen e 130 milionë eurove në aferën e inceneratorit të Tiranës. “Ku janë paratë? Drejtorët nuk kanë buxhetin. Qeveria dhe kryeministri e kanë,” tha Berisha, duke pretenduar se fondet janë zhvendosur në llogari bankare të fshehta.

Në fund, ai ftoi qytetarët të votojnë numrin 1 më 11 maj, për një “Shqipëri Madhështore”, siç e cilësoi ai vizionin e opozitës për të ardhmen.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button