GJNP kundërshton sanksionet amerikane ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të administratës së ish-presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e sanksioneve ndaj dy gjyqtarëve dhe dy zëvendësprokurorëve të saj.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cilësoi gjyqtarët dhe prokurorët e GJNP-së si “kërcënim për sigurinë kombëtare”, duke i akuzuar se po shërbejnë si “instrument i luftës ligjore kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit”.
Sipas njoftimit, sanksionet përfshijnë ngrirjen e çdo pasurie që gjyqtarët Kimberly Proust (Kanada) dhe Nicolas Guillou (Francë), si dhe prokurorët Nazhat Shameem Khan (Fixhi) dhe Mame Mandiaye Niang (Senegal) mund të kenë në juridiksionet amerikane. Nicolas Guillou ka shërbyer më herët edhe si gjykatës në Gjykatën Speciale në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në reagimin e saj, GJNP i cilësoi masat amerikane si “sulm flagrant ndaj pavarësisë së një institucioni gjyqësor të paanshëm që vepron nën mandatin e dhënë nga 125 shtete palë”. Gjykata tha se sanksionet janë edhe “fyerje ndaj viktimave të mizorive të paimagjinueshme” në mbarë botën.
“Gjykata do të vazhdojë të përmbushë mandatin e saj pa u lëkundur, në përputhje të rreptë me kuadrin ligjor të miratuar nga Shtetet Palë, pavarësisht kufizimeve, presioneve apo kërcënimeve”, thuhet në reagim.
Po ashtu, GJNP u bëri thirrje shteteve palë dhe të gjitha vendeve që ndajnë vlerat e sundimit të ligjit, të ofrojnë mbështetje të fortë e të qëndrueshme për punën e saj në interes të viktimave të krimeve ndërkombëtare.
Sanksionet vijnë pas përpjekjeve të GJNP-së për të ndjekur penalisht liderët izraelitë dhe për një vendim të mëparshëm që lidhet me hetimin e zyrtarëve amerikanë.