Vuçiq fton protestuesit në debat publik, studentët: “Bisedojmë vetëm kur të shpallë zgjedhje”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ftuar përfaqësuesit e protestuesve në një debat publik, që sipas tij mund të zhvillohet para të gjitha televizioneve dhe portaleve. Ai e bëri këtë ftesë përmes një video-adresimi në Instagram, duke thënë se është koha për dialog dhe për një “garë vizionesh” mbi të ardhmen e Serbisë.
Mirëpo, studentët e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Beogradit, që udhëheqin protestat, refuzuan thirrjen e presidentit. Ata deklaruan se do të bisedojnë me Vuçiqin vetëm kur të shpallen zgjedhje të reja. “Është e qartë se nuk ka përgjigje ndaj revoltës së popullit, prandaj tani do të flasë me ne, të cilët prej muajsh na quan terroristë. Për vizionet dhe programet për të ardhmen do të debatojmë gjatë fushatës parazgjedhore”, thanë studentët.
Në Serbi protestat po zgjasin tashmë mbi nëntë muaj. Kërkesa kryesore e protestuesve është përcaktimi i përgjegjësisë për shembjen e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona. Studentët theksojnë se zgjedhjet e reja janë të pashmangshme, pasi – sipas tyre – shteti nuk ka bërë asgjë për të kërkuar përgjegjësinë për këtë tragjedi.
Pushteti në Serbi deri tani ka refuzuar të shpallë zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë, ditët e fundit janë shtuar edhe incidentet mes përkrahësve të Partisë Progresive Serbe (SNS) të Vuçiqit dhe protestuesve.
Raportimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia – përfshirë ndaj të miturve, gazetarëve dhe grave – kanë nxitur reagime të shumta. Komisionarja për Mbrojtjen e Barazisë në Serbi, Brankica Jankoviq, ka bërë thirrje që dhuna të ndalet dhe që policia të trajtojë të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë.