Berisha premton rritje të pagës minimale në 500 euro dhe masa për përmirësimin e klimës së biznesit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se pas 11 majit, nëse demokratët marrin drejtimin e qeverisë, paga minimale në vend do të shkojë në 500 euro. Gjatë një vizite në një biznes fason në Krujë, Berisha prezantoi projektin “Shqipëria Madhështore”, me qëllim, siç tha ai, nxjerrjen e shqiptarëve nga mjerimi dhe varfëria.
“Brenda 100 ditëve të para të qeverisjes sonë, do të krijojmë një bord që do kompensojë çdo biznes eksportues dhe fason për humbjet e shkaktuara nga zhvlerësimi i euros, qindarkë për qindarkë”, u shpreh Berisha, duke theksuar se rënia e euros nga 140 në 90 lek ka dëmtuar rëndë këtë sektor.
Ai shtoi gjithashtu se do të vendoset një minimum jetik prej 200 eurosh për pensionistët, të papunët, studentët, jetimët dhe familjet në ndihmë ekonomike.
Berisha premtoi edhe lehtësira fiskale për sipërmarrësit, duke garantuar se do të paguajnë energjinë me çmim të reduktuar prej 6 lekësh për kilovat. Ai akuzoi qeverinë aktuale për abuzime me energjinë e prodhuar nga panelet diellore, duke premtuar se çdo kilovat i hedhur në rrjet nga bizneset do të paguhet ose do t’u rikthehet në formën e energjisë.
“Kjo është klima që krijojnë këta për biznesin. Ne do ta ndryshojmë rrënjësisht këtë realitet”, theksoi Berisha në përmbyllje të fjalës së tij.