
Detaje të reja janë mësuar për marrjen në pyetje të Kreut të Komisionit të Prokurimeve Publike.
Gazetari i Syri tv mëson se atij i është kërkuar telefoni por nuk e ka dorëzuar pasi u ka thënë hetuesve se nuk e kishte me vete. Jonaid Myzyrit i është kërkuar telefoni këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme, por ka thënë para Oficerëve të BKH-së që e kanë marrë në pyetje se nuk e kishte me vete.
Atij i është komunikuar që është person nën hetim, shpjegon gazetari Fatjon Gjinaj, dhe nga dita e sotme do duhet ti përgjigjet organit hetues sa herë të shikohet e arsyeshme nga ky i fundit, ndërsa emri i tij është regjistruar në regjistrin e procedimeve penale, prej kohësh.
Burime të besueshme, konfirmuan se indicia për të hetuar rolin e tij si drejtues i Prokurimeve Publike, ka të bëjë me referime që janë bërë në SPAK nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Çështja ndaj tij po hetohet për një sërë procedurash tenderash, dhe shumica e tyre kanë të bëjnë me objektin që kanë patur për ndërtimin apo rikonstruksionin e rrugëve ku autoritet kontraktor ka qenë Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Burimi shprehet i rezervuar se cilat janë këto projekte dhe procedura, por theksoi se janë krijuar dyshime të arsyeshme për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre.