SHSHKos fton komunitetin akademik në dëgjesë publike për draftligjin për arsimin e lartë

Shoqata e Shkencëtarëve të Kosovës (SHSHKos) ka hapur thirrjen për pjesëmarrje në dëgjesën publike mbi draftligjin për arsimin e lartë në Republikën e Kosovës. Ftesa u drejtohet profesorëve dhe stafit akademik të institucioneve publike dhe private.
Nisma synon të mbledhë përvojat, shqetësimet dhe propozimet e komunitetit akademik për përmirësimin e draftligjit, në funksion të cilësisë së arsimit të lartë dhe interesit publik.
Diskutimi do të përfshijë trajtimin e institucioneve publike dhe private, autonominë universitare dhe lirinë akademike, rekrutimin dhe kushtet e punës së stafit, kriteret e avancimit dhe njohjen e titujve akademikë. Vëmendje do t’i kushtohet edhe kërkimit shkencor, publikimeve, integritetit akademik, cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit, si dhe praktikës profesionale të studentëve.
Në kuadër të dëgjesës do të trajtohen gjithashtu akreditimi institucional dhe i programeve, monitorimi pas akreditimit, statusi i bartësve të programeve dhe deklarata nën betim e stafit akademik.
Pjesëmarrësve do t’u dërgohet paraprakisht draftligji për shqyrtim. Komentet dhe propozimet mund të paraqiten gjatë dëgjesës ose të dërgohen me shkrim, duke identifikuar nenin përkatës, arsyetimin dhe ndryshimin e propozuar. Pas konsultimit, SHSHKos do t’ua përcjellë rekomandimet institucioneve përgjegjëse.
Afati për regjistrim është 24 tetor 2026. Të interesuarit mund të regjistrohen përmes formularit të publikuar në thirrjen e Shoqatës ose të konfirmojnë pjesëmarrjen në adresën [email protected].
Data, ora dhe vendi i dëgjesës do të përcaktohen pas përfundimit të regjistrimit, në varësi të numrit të pjesëmarrësve dhe sigurimit të sallës me kapacitet të përshtatshëm. Të regjistruarit do të njoftohen me kohë për hollësitë e organizimit.
SHSHKos fton komunitetin akademik të kontribuojë në këtë konsultim dhe ta shpërndajë thirrjen te kolegët dhe institucionet përkatëse.
https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSeOEIbnjUgY2FmJwugV9wxYDVKxY9IesfjuAnG_LDhiDdF_kg/viewform



