Plagosje me armë zjarri në fshatin Pluk të Lushnjes, një person i plagosur rëndë

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Pluk të Lushnjes, ku i plagosur ka mbetur shtetasi F. Mane, rreth 66 vjeç. Sipas informacioneve të para, ai është qëlluar me çifte dhe saçmet e kanë kapur në kokë, duke i shkaktuar plagë të rënda.
66-vjeçari është dërguar menjëherë në kryeqytet për mjekim të avancuar. Ngjarja ka ndodhur brenda stanit të bagëtive, ku i plagosuri ishte duke bërë roje nate. Autoret, të cilët dyshohet të kenë pasur një konflikt të hershëm me Manen, janë tre persona që kanë hyrë në stan dhe e kanë qëlluar atë.
Tre ditë më parë, në të njëjtin stan, janë vjedhur 4 krerë bagëti (dele), ngjarje e cila mund të lidhet me plagosjen e sotme. Policia ka nisur hetimet dhe është në kërkim të autorëve të këtij akti të dhunshëm.