Shqipëria përballet me valë zjarresh shkatërruese – dhjetëra banesa të djegura, dëme të mëdha në bagëti dhe pemëtari

Shqipëria po lufton me një valë të re zjarresh që kanë përfshirë disa qarqe të vendit, duke shkaktuar dëme të mëdha në banesa, kafshë dhe sipërfaqe të gjera pyjore.
Aktualisht, në qarkun e Beratit janë aktive tre vatra zjarri. Situata më e rëndë paraqitet në zonën e mbrojtur Balloll të Poliçanit, ku flakët po përparojnë drejt fshatrave Plashnik i Madh dhe Çorogjaf, duke rrezikuar edhe sipërfaqet pyjore përreth. Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse dhe ushtria.
Dy vatra të tjera janë regjistruar në fshatrat Velçan dhe Orizaj. Në Orizaj, situata është përmirësuar, por terreni i vështirë mbetet një sfidë për shuarjen e plotë të flakëve.
Në qarkun e Kukësit, zjarri që shpërtheu të mërkurën në fshatin Bele, brenda Parkut Kombëtar “Korab-Koretnik”, është vënë nën kontroll dhe po monitorohet për të shmangur riaktivizimin.
Situata më dramatike është regjistruar në Delvinë dhe Gramsh. Në Delvinë, flakët rrethuan qytetin, duke shkatërruar disa banesa dhe një kishë. Në Gramsh, zjarri ka përfshirë disa fshatra, duke djegur plot 39 banesa. Dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në bagëti dhe pemëtari, duke rënduar gjendjen e banorëve të prekur.
Autoritetet lokale dhe forcat e emergjencës po punojnë pa ndërprerje për të izoluar dhe shuar vatrat, ndërsa banorët apelohen të tregojnë kujdes dhe të raportojnë menjëherë çdo shpërthim të ri flakësh.