Mediat gjermane: Protestat në Serbi po përshkallëzohen, studentët sfidojnë Vuçiqin

Trazirat e fundit në Serbi kanë marrë vëmendjen e mediave gjermane, të cilat kanë raportuar gjerësisht mbi situatën e tensionuar mes regjimit të Presidentit Aleksandar Vuçiq dhe lëvizjes studentore. Pamje nga protestat në Beograd dhe Novi Sad u transmetuan në lajmet kryesore të shërbimit publik gjerman ARD, ndërsa gazeta të ndryshme publikuan artikuj analitikë mbi zhvillimet.
Tagesspiegel, në një shkrim të gazetarit Andrej Ivanji, thekson se pas nëntë muajsh protesta kryesisht paqësore, situata ka marrë një kthesë të dhunshme këtë javë. Përplasjet shpërthyen fillimisht në qytete të Vojvodinës si Vrbas dhe Baçka Palanka, për t’u përhapur më pas në Beograd, Nish, Novi Sad, Krushevac, Smederevo e qytete të tjera. Vetëm ditën e dytë, sipas Ministrisë së Brendshme, u raportuan rreth 70 të plagosur.
Sipas këtij raportimi, aktivistë dhe simpatizantë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) janë përdorur kundër protestuesve. Ata përshkruhen si grupe me pamje të uniformuar, shpesh të maskuar, të identifikuar nga mediat kritike si persona me të kaluar kriminale.
Lëvizja studentore, e cila ka marrë rol qendror në këto zhvillime, akuzon Vuçiqin se po e çon vendin drejt një “lufte civile” në vend që të shpallë zgjedhje të parakohshme. Ivanji thekson se “rezistenca studentore është forca më e fortë politike në Serbi” pas muajsh protestash të vazhdueshme.
Gazeta Rheinische Post nënvizon se presidenti Vuçiq ka premtuar të “pastrojë rrugët nga huliganët” dhe nuk ka ndërmend të tregojë mëshirë. Raportimi vëren se Serbia, një vend me ambicie për anëtarësim në BE, është thellësisht e përçarë politikisht, me protesta për korrupsion që tashmë kanë hyrë në fazë të dhunshme.
Ndërsa Frankfurter Allgemeine Zeitung sjell detaje mbi dimensionin ndërkombëtar të trazirave. Në Baçki Petrovac, me popullsi shumicë sllovake, mbështetës të SNS-së shkatërruan një ekspozitë fotografike pro-protestave. Ngjarja shkaktoi reagime nga autoritetet sllovake, përfshirë Avokatin e Popullit, Robert Dobrovodski, i cili kërkoi hetim nga pala serbe. Edhe udhëheqësi opozitar sllovak Michal Simecka vizitoi vendin për të shprehur solidaritet, ndërsa opozita në Bratislavë kritikoi kryeministrin Robert Fico për heshtjen e tij.
Sipas analizës së mediave gjermane, kriza politike në Serbi ka hyrë në një fazë vendimtare. Studentët po e sfidojnë hapur regjimin e Vuçiqit, ndërsa tensionet në rrugë rrezikojnë të përshkallëzohen edhe më tej.