Sport

Barcelona synon Ibrahima Konaté – rivalitet i fortë me Real Madridin

Barcelona pritet të hyjë fuqishëm në garë për shërbimet e mbrojtësit francez të Liverpool-it, Ibrahima Konaté. Largimi i Iñigo Martínez drejt Al-Nassr ka lënë katalanasit me vetëm katër qendërmbrojtës të nivelit të parë, ndaj verën e ardhshme klubi është pothuajse i detyruar të përforcojë repartin defensiv.

Për shkak të kufizimeve financiare, Barça nuk planifikon të shpenzojë në këtë merkato, duke e parë tregun e lojtarëve të lirë si opsionin më të përshtatshëm. Kjo e bën Konatén një objektiv shumë interesant, pasi kontrata e tij me Liverpool-in skadon pas 12 muajsh dhe deri më tani nuk ka shenja për rinovim.

Sipas raportimeve të “Sempre Barca”, blaugranët kanë zhvilluar kontakte paraprake me përfaqësuesit e mbrojtësit dhe lojtari shihet i hapur për një kalim në “Camp Nou”, ku do të formonte një partneritet të fortë me Ronald Araujon dhe Pau Cubarsin.

Megjithatë, konkurrenca është e fortë: Real Madrid është gjithashtu i interesuar për Konatén dhe nuk përjashtohet mundësia që të lëvizë që këtë verë për të siguruar shërbimet e tij.

Një transferim i tillë do të ishte goditje e madhe për Barcelonën, e cila në situatën aktuale financiare sheh nënshkrimet me parametra zero si mënyrën më të mirë për të përforcuar skuadrën.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button