KryesoreLajmeOpinione
Kryesore

Koha për një politikë ndryshe: Shqipëria ka nevojë për vlera reale

Shkruan: Ana Elshani

Prej vitesh, politika shqiptare është përballur me një krizë të thellë besimi. Qytetarët janë lodhur nga premtimet boshe, nga fytyrat që riciklohen pa ofruar asgjë të re dhe nga retorikat e thata që nuk përkthehen kurrë në veprim. Në këtë realitet të trishtë, ku politika shpesh shihet si një mjet për përfitime personale dhe jo si shërbim ndaj publikut, gjithnjë e më tepër lind nevoja për një ndryshim të thellë dhe të ndershëm.

Ky ndryshim nuk vjen nga slogane, por nga njerëz të vërtetë nga individë që përfaqësojnë integritet, ndershmëri dhe vlera qytetare. Një ndër këta zëra që ka fituar respektin e publikut pa bërë zhurmë të panevojshme, është Adriatik Lapaj. Një jurist i përkushtuar dhe një qytetar i angazhuar, Lapaj ka arritur të fitojë besimin e shumë shqiptarëve përmes qëndrimeve të tij të qarta, fjalës së matur dhe veprimit të drejtë.

Nuk është thjesht çështje e një individi. Është çështje kulture politike. Lapaj përfaqëson atë çka politika shqiptare ka harruar, shërbimin ndaj qytetarit, etikën në komunikim dhe përkushtimin për të mirën publike. Në një kohë kur zëri i arsyes shpesh mbytet nga populizmi dhe militantizmi, ai përfaqëson një dritë shprese që dëshmon se është e mundur të bësh politikë ndryshe me dinjitet dhe pa kompromise me të keqen.

Shqipëria nuk ka nevojë për shpëtimtarë, por për qytetarë të përgjegjshëm që i japin drejtim dhe kuptim të ri politikës. Ka ardhur koha që ne të mos presim më liderë që “na shpëtojnë”, por të mbështesim ata që e vendosin njeriun dhe interesin publik në qendër të veprimit të tyre.

Politika nuk duhet të jetë një teatër për të mbuluar boshllëkun moral, por një platformë për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, transparente dhe gjithëpërfshirëse. Lapaj dhe figura të ngjashme me të nuk janë të përsosur, por ata përfaqësojnë atë që na ka munguar më shumë: vullnetin për të ndryshuar realisht dhe ndershmërisht.

Nëse duam që politika shqiptare të rilindë, atëherë duhet të mbështesim dhe promovojmë vlerat – jo emrat. Dhe kur vlerat mishërohen nga individë si Adriatik Lapaj, atëherë mund të kemi më shumë besim se një Shqipëri më e ndershme, më e drejtë dhe më qytetare është e mundur.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button