Gjashtë vjet burg për fjalët në paraburgim? Çfarë pritet të vendosë gjykata në rastin Thaçi

Nga Dr. Agim A. Krasniqi
Fjalët përfundimtare të Prokurorisë dhe mbrojtjes në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të bashkakuzuarve për pretendimet lidhur me ndërhyrjen në administrimin e drejtësisë, kanë nxjerrë në pah përplasjen juridike shumë më të thellë sesa pyetja, nëse disa biseda në Qendrën e Paraburgimit kanë ndodhur apo jo. Në thelb, gjykata do të duhet të vendosë se çfarë provojnë juridikisht këto biseda, nëse ato janë shndërruar në veprime të cilat i përmbushin elementet e veprave penale të pretenduara dhe, mbi të gjitha, nëse Prokuroria i ka provuar këto elemente përtej dyshimit të arsyeshëm.
Kjo është pika nga e cila, sipas meje, duhet lexuar i gjithë procesi.
Zyra e Prokurorit të Specializuar paraqiti një narrativë të fortë. Sipas saj, bisedat e regjistruara në paraburgim nuk ishin thjesht biseda ndërmjet miqve të vjetër për luftën, UÇK-në apo zhvillimet politike në Kosovë. Prokuroria pretendon se përmes vizitorëve të caktuar, Thaçi synonte të përcillte udhëzime te dëshmitarët, të ndikonte në mënyrën se si ata do të dëshmonin dhe të krijonte narrativën e cilado ta distanconte atë dhe Shtabin e Përgjithshëm nga përgjegjësitë e pretenduara në procesin kryesor.
Në disa prej incizimeve të prezantuara, ZPS-ja i kushtoi rëndësi të veçantë shprehjeve që, sipas interpretimit të saj, nënkuptonin se dëshmitarët duhej të jepnin përgjigje të shkurtra, të përgjigjeshin me “po” ose “jo”, të shmangnin përgjigje që mund të ishin të dëmshme dhe të krijonin distancë ndërmjet komandantëve të zonave dhe Shtabit të Përgjithshëm.
Prokuroria shkoi edhe më tej. Ajo argumentoi se mënyra e komunikimit, përfshirë përshpëritjen në disa segmente, përdorimin e ndërmjetësve dhe pretendimin për zbulimin e informatave konfidenciale, nuk mund të shpjegohet si komunikim i zakonshëm ndërmjet miqve. Në interpretimin e saj, këto elemente tregojnë vetëdije për natyrën e palejuar të veprimeve dhe përpjekje për t’i mbajtur ato larg vëmendjes së autoriteteve.
Nëse kjo narrativë do të merrej e izoluar, çështja mund të dukej relativisht e drejtpërdrejtë. Por procesi penal nuk funksionon mbi bazën e narrativës më bindëse. Procesi funksionon mbi prova dhe mbi standardin juridik i cili duhet të përmbushet për secilin element të veprës penale.
Mbrojtja e zhvendosi debatin nga fjalët te elementet e veprës penale
Pikërisht këtu argumenti përfundimtar i mbrojtjes së Thaçit, sipas vlerësimit tim, u bë juridikisht shumë më interesant. Mbrojtja nuk u kufizua në pretendimin se transkriptet ishin të pasakta apo se bisedat ishin keqinterpretuar. Mbrojtja e zhvendosi debatin drejt një pyetjeje më të vështirë për Prokurorinë: edhe nëse pranojmë se disa prej këtyre fjalëve janë thënë, çfarë provojnë ato juridikisht?
Ky është një dallim esencial. Të thuash diçka që mund të interpretohet si dëshirë, këshillë, pajtim apo edhe synim, nuk është domosdoshmërisht e njëjta gjë me përmbushjen e elementeve të një vepre penale. Për përgjegjësi penale duhet të provohet ajo që kërkon norma konkrete: qëllimi përkatës, marrëveshja kur ajo kërkohet, veprimi i personit dhe, në rastin e tentimit, arritja e pragut juridik që e ndan përgatitjen ose fjalën nga fillimi i kryerjes së veprës.
Kjo është arsyeja pse mbrojtja i kushtoi rëndësi faktit se, sipas argumentit të saj, për disa nga vizitat dhe personat e përfshirë nuk pasuan kontakte me dëshmitarët dhe nuk pati veprime të tjera që do të realizonin atë që ZPS-ja pretendon se ishte diskutuar.
Natyrisht, kjo nuk e zgjidh vetvetiu çështjen. Tentimi nuk kërkon që vepra penale të ketë prodhuar rezultatin përfundimtar. Përndryshe nuk do të ekzistonte koncepti juridik i tentimit. Prandaj argumenti se “nuk ndodhi asgjë” nuk mjafton automatikisht për pafajësi.
Por ai hap një pyetje shumë të rëndësishme: deri ku kemi fjalë, përgatitje apo qëllim dhe prej cilit moment kemi veprim juridikisht të mjaftueshëm për tentim? Kjo është një nga çështjet që Trupi Gjykues duhet ta zgjidhë, jo politikisht dhe as emocionalisht, por përmes elementeve të normës penale që është zbatuar në aktakuzë.
Problemi i transkripteve
Një tjetër fushë përplasjeje janë vetë incizimet dhe transkriptet.ZPS-ja argumentoi se pjesë të rëndësishme të bisedave janë të kuptueshme dhe se kundërshtimi i gjerë i mbrojtjes ndaj transkripteve nuk është shoqëruar gjithmonë me identifikimin konkret të fjalëve apo fjalive që pretendohet se janë transkriptuar ose përkthyer gabimisht.
Ky është argument me peshë. Nga ana tjetër, kur një pjesë e rëndësishme e teorisë së përgjegjësisë penale ndërtohet mbi kuptimin e fjalëve të shqiptuara në biseda të regjistruara, disa prej tyre me zë të ulët ose me përshpëritje, saktësia e transkriptimit dhe konteksti në të cilin janë thënë ato marrin rëndësi të jashtëzakonshme.
Gjykata nuk mund të dënojë mbi atë që një fjali “mund të ketë nënkuptuar”. Ajo duhet të jetë e bindur për atë që provohet se është thënë dhe, më pas, për kuptimin juridik të saj në kontekstin e tërësisë së provave. Këtu qëndron dallimi që shpesh humbet në debatin publik: një incizim mund të jetë provë autentike dhe megjithatë interpretimi juridik i përmbajtjes së tij të mbetet i diskutueshëm.
“Përtej dyshimit të arsyeshëm” nuk është formulë dekorative
Kam theksuar edhe më herët publikisht se rezultati i proceseve që lidhen me çështjen Thaçi dhe të tjerët, duhet të varet nga zbatimi rigoroz i standardeve themelore të së drejtës penale, në radhë të parë nga prezumimi i pafajësisë, barra e provës, standardi “përtej dyshimit të arsyeshëm” dhe parimi in dubio pro reo.
Pikërisht mbi këtë bazë kam shprehur pritjen se, nëse këto standarde zbatohen me rigorozitet ndaj tërësisë së provave, rezultati mund të jetë në favor të të akuzuarve.
Argumentet përfundimtare të palëve nuk e ndryshojnë këtë qëndrim. Përkundrazi, ato e bëjnë edhe më të rëndësishme pyetjen themelore: a ka arritur Prokuroria të provojë secilin element të secilës akuzë në nivelin që kërkon e drejta penale?
Në procesin penal, nuk mjafton që versioni i Prokurorisë të jetë i mundshëm. Nuk mjafton as që ai të duket më bindës se një version alternativ. Standardi penal kërkon shumë më tepër.
Ekziston një dallim i madh ndërmjet dyshimit, probabilitetit dhe provës përtej dyshimit të arsyeshëm.
Nëse nga të njëjtat prova mund të nxirret një shpjegim alternativ i arsyeshëm që është në përputhje me pafajësinë për një element të caktuar të akuzës, gjykata nuk mund ta mbushë atë boshllëk me supozim. Aty hyn në funksion in dubio pro reo: dyshimi i arsyeshëm funksionon në favor të të akuzuarit.
Por edhe ky parim duhet përdorur me saktësi. Ai nuk do të thotë se çdo dyshim, sado teorik apo i largët, sjell pafajësi. Bëhet fjalë për dyshim të arsyeshëm, të mbështetur në vlerësimin racional të provave.
A janë provuar veprimet pasuese?
Kjo mund të jetë ndër pikat vendimtare të çështjes.
Mbrojtja argumentoi se për disa prej episodeve mbi të cilat mbështetet aktakuza, nuk ekziston prova e veprimit pasues që ZPS-ja përpiqet t’ua atribuojë personave të përfshirë.
Në rastin e vizitës së Hajredin Kuçit, për shembull, mbrojtja argumentoi se Prokuroria nuk ka provuar marrëveshjen e pretenduar dhe as ndërmarrjen e një veprimi pasues drejt realizimit të saj. Në raste të tjera ajo vuri në pikëpyetje ekzistencën e një veprimi të përbashkët, kontaktet ndërmjet personave dhe lidhjen ndërmjet komunikimeve të caktuara dhe dëshmive në procesin kryesor.
Materiali i paraqitur nga ZPS-ja për episodet e tjera, përmban pretendime për kontakte dhe veprime pas vizitave. Prandaj nuk mund të thuhet në mënyrë të përgjithshme se “nuk ndodhi asgjë”. Secila akuzë dhe secili episod duhet të shqyrtohen veçmas.
Dhe pikërisht kjo mund të jetë dobësia e çdo përpjekjeje për ta trajtuar aktakuzën si një bllok të vetëm. Është krejtësisht e mundshme juridikisht që gjykata të arrijë në përfundime të ndryshme për akuza ose episode të ndryshme, varësisht nga fuqia e provave që mbështesin secilin prej tyre.
Gjashtë vjet burg – proporcionalitet apo tejkalim?
Një nga momentet më të forta të argumentit përfundimtar të mbrojtjes ishte kundërshtimi i dënimit prej gjashtë vjetësh burgim të kërkuar nga Prokuroria.
Mbrojtja e cilësoi atë si joproporcional dhe e krahasoi me dënimet e shqiptuara në raste të tjera ndërkombëtare dhe në Kosovë për pengim të drejtësisë, përfshirë raste ku, sipas saj, kishin ekzistuar forma shumë më të rënda të ndërhyrjes: pagesa ndaj dëshmitarëve, kërcënime, zbulim identitetesh apo ndikim faktik mbi dëshmitë.
Mbrojtja iu referua gjithashtu praktikës së gjykatave të Kosovës dhe argumentoi se Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës dhe se veprat përkatëse mbështeten në legjislacionin penal të Kosovës. Në këtë kontekst ajo argumentoi se praktika vendore e dënimit nuk mund të shpërfillet pa arsye.
Ky argument nuk e detyron automatikisht gjykatën të ndjekë matematikisht dënimet e rasteve të tjera. Individualizimi i dënimit varet nga rrethanat e çështjes konkrete.
Megjithatë, proporcionaliteti është çështje reale juridike. Nëse bëhet fjalë për tentim dhe jo për ndërhyrje të përfunduar, nëse nuk provohet dëmi faktik ndaj dëshmitarëve apo procesit dhe nëse praktika relevante tregon dënime dukshëm më të ulëta për sjellje të krahasueshme ose më të rënda, atëherë kërkesa për gjashtë vjet burgim kërkon arsyetim veçanërisht bindës.
Prandaj titulli “Gjashtë vjet burg për fjalët në paraburgim?” nuk duhet kuptuar si pretendim se kemi vetëm fjalë. Kjo është pikërisht çështja që duhet të vendosë gjykata: a mbetën këto biseda vetëm fjalë dhe përgatitje, apo provat vërtetojnë përtej dyshimit të arsyeshëm se ato kaluan pragun që ligji penal e sanksionon?
Ku qëndron pesha e argumenteve?
Pas dëgjimit të argumenteve të të dyja palëve, nuk do të ishte serioze të thuhej se ZPS-ja nuk ka paraqitur prova që kërkojnë përgjigje.
Ka incizime. Ka komunikime. Ka pretendime për udhëzime konkrete. Ka çështje rreth informacionit konfidencial. Ka kontakte dhe kronologji që Prokuroria përpiqet t’i lidhë në një tërësi provuese.
Por po aq problematike do të ishte të thuhej se vetë ekzistenca e këtyre elementeve e përfundon analizën juridike.
Prova që krijon dyshim nuk është domosdoshmërisht provë që eliminon dyshimin e arsyeshëm.
Dhe këtu, sipas vlerësimit tim, mbrojtja arriti të krijojë disa çështje që Trupi Gjykues nuk mund t’i anashkalojë: interpretimin e transkripteve, dallimin ndërmjet fjalëve dhe veprimeve juridikisht relevante, provimin e marrëveshjeve të pretenduara, elementet e tentimit, lidhjen ndërmjet personave të përfshirë dhe ekzistencën ose mungesën e veprimeve pasuese.
Kjo nuk do të thotë se mbrojtja i ka rrëzuar tashmë akuzat. Do të thotë se ZPS-ja duhet t’i ketë kapërcyer këto dilema përtej dyshimit të arsyeshëm.
Parashikimi: jo domosdoshmërisht një përgjigje e vetme për të gjitha akuzat
Këtu mendoj se mund të bëhet edhe një parashikim juridik.
Nëse Trupi Gjykues e vendos në qendër të analizës jo vetëm atë që është thënë në paraburgim, por kërkon provë përtej dyshimit të arsyeshëm për secilin element të përgjegjësisë penale dhe për secilën akuzë veçmas, argumentet e paraqitura nga mbrojtja krijojnë bazë serioze për të pritur që të paktën një pjesë e akuzave të mos i mbijetojë këtij standardi.
Madje, duke parë mënyrën se si janë ndërtuar argumentet përfundimtare, nuk do ta përjashtoja një rezultat të diferencuar: disa akuza mund të rrëzohen, ndërsa për të tjera gjykata mund të vlerësojë se ekziston bazë më e fortë provuese.
Ky, sipas meje, është parashikim më i mbështetur juridikisht sesa pohimi kategorik se procesi duhet të përfundojë ose me dënim të plotë, ose me pafajësi të plotë.
Nëse, megjithatë, gjykata konstaton se për elemente bazike të përgjegjësisë penale, ekziston një shpjegim alternativ i arsyeshëm i provave, atëherë pasojat e standardit penal janë të qarta: dyshimi duhet të shkojë në favor të të akuzuarit.
Kjo nuk është favor ndaj Hashim Thaçit.
Nuk është favor ndaj Prokurorisë.
Është mënyra se si duhet të funksionojë drejtësia penale ndaj çdo të akuzuari.
Dhe pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia më e madhe e këtij procesi. Dhomat e Specializuara nuk po gjykohen vetëm nga vendimet që do të marrin për individët përpara tyre. Ato po gjykohen edhe nga mënyra se si zbatojnë standardet që vetë drejtësia penale moderne i konsideron mbrojtje themelore kundër dënimit të pabazuar.
Prandaj, në fund, pyetja nuk është nëse fjalët e dëgjuara në paraburgim krijojnë dyshim. Disa prej tyre padyshim kërkojnë shpjegim dhe vlerësim serioz.
Pyetja juridike është shumë më e vështirë: a e kanë shndërruar provat atë dyshim në siguri juridike të nivelit që kërkohet për një vendim fajësie?
Nëse përgjigjja është po, duhet të ketë përgjegjësi sipas ligjit.
Nëse përgjigjja është jo, gjykata nuk mund ta zëvendësojë boshllëkun provues me bindje, përshtypje apo kontekst politik.
Sepse ndërmjet dyshimit dhe dënimit penal qëndron një nga barrierat më të rëndësishme të shtetit të së drejtës: prova përtej dyshimit të arsyeshëm.
Dhe nëse ky prag nuk kapërcehet, in dubio pro reo nuk është zgjedhje e gjykatës. Është detyrim i saj.


