Berisha në Krujë: Brenda 100 ditëve do vendosim minimumin jetik dhe do rrisim rrogat në 500 euro

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me tregtarët artizanalë në Krujë, prezantoi një sërë premtimesh për rimëkëmbjen ekonomike dhe mbështetjen ndaj biznesit të vogël dhe fermerëve, nëse vjen në pushtet.
Ai theksoi se brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, do të vendoset minimumi jetik prej 200 eurosh, duke e cilësuar këtë masë si një hap drejt një shoqërie më të drejtë e më të moralshme. “Një njeri që merr 6.3 euro në ditë nuk është në varfëri ekstreme”, tha Berisha.
Një tjetër premtim i rëndësishëm ishte rritja e pagës minimale në 500 euro, ndërsa ai kritikoi ashpër rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë në krahasim me pensionet minimale. “Në një vend ku zyrtarët marrin 7 mijë euro në muaj dhe pensionistët vetëm 120 euro, nuk ka drejtësi sociale,” u shpreh ai.
Për sa i përket sektorit të bujqësisë dhe sipërmarrjes, Berisha deklaroi se do të ofrohen kredi të buta, ku 80% e interesave do të mbulohen nga shteti për fermerët dhe bizneset e vogla. Po ashtu, ai premtoi heqjen e barrierave burokratike për subvencionet dhe rritjen gjashtëfish të mbështetjes financiare për çdo njësi prodhimi.
“Made in Albania do të jetë synimi ynë kryesor,” theksoi Berisha, duke shtuar se qeveria e tij do të mbështesë prodhimin vendas dhe do të ndalojë me ligj importin e inputeve bujqësore që nuk shiten në të paktën dy vende të Bashkimit Evropian.
Ai nuk la pa përmendur as abuzimet me fondet e BE për fermerët, duke akuzuar qeverinë aktuale për shpërdorim të 130 milionë eurove, dhe duke e quajtur këtë një arsye për ndërprerjen e ndihmës nga Brukseli.
“Ne do ua kthejmë paratë qytetarëve dhe do lehtësojmë barrën fiskale për bizneset,” përfundoi Berisha, duke premtuar një qasje të re ekonomike që synon rritjen e prodhimit kombëtar dhe mirëqenien sociale.