Ilir Vrenozi refuzon “miqësinë” me Ramën: “Nuk jam Lul Basha, më lër te tërhanaja e fasulja ime!”

Simpatizanti i njohur demokrat, Ilir Vrenozi, ka refuzuar sërish përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për t’u afruar me të, pas një telefonate që ky i fundit i bëri ditë më parë duke e ftuar për një kafe. Vrenozi reagoi ashpër në Facebook, duke e konsideruar këtë si një tentativë për ta përdorur politikisht.
“Nuk jam Lul Basha, më lër te tërhanaja dhe fasulja ime… aty ndihem rehat,” shkruan ai, duke nënvizuar se nuk shitet për para dhe nuk pranon të bëhet pjesë e “telenovelës” së Ramës.
Në reagimin e tij, Vrenozi thekson:
“Rama po përpiqet të më shfrytëzojë për të dhënë mesazhin se ‘edhe opozitarin më të famshëm e mora’, por kjo nuk do të ndodhë kurrë. Unë nuk gënjehem me karamele imagjinare.”
Ai shton me tone të forta se ndryshe nga shumë të tjerë që, sipas tij, janë blerë nga Rama, ai vetë është i paprekshëm nga paratë dhe presionet politike:
“Unë mund të jem më i varfëri nga të gjithë, por paraja nuk mund të më blejë. Kam 28 vjet i martuar dhe s’e kam tradhtuar gruan kurrë. Nuk di çfarë është tradhtia.”
Në përmbyllje, Vrenozi i kërkon Ramës të ndalë çdo përpjekje për afrim:
“Më lër në varfërinë time të lumtur. Unë jam Ilir Vrenozi, ai që ha tërhanë e fasule para kamerës. Më lër të jem ky që jam. STOP telenovelës me mua!”
Deklarata e Vrenozit ka ngjallur reagime të shumta në rrjete sociale, ku ndjekësit e tij e përgëzojnë për qëndrimin e fortë dhe të pandryshuar ndaj pushtetit.