PD apel diasporës: Mos publikoni votën, rrezikoni ndjekje penale

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu, në një intervistë për emisionin Review në Euronews Albania, ka bërë një thirrje të qartë për votuesit nga diaspora: të mos publikojnë mënyrën se si kanë votuar. Sipas tij, kjo përbën një shkelje të ligjit dhe rrezikon ndjekje penale.
Logu e cilësoi si shqetësues trendin e disa emigrantëve që postojnë foto apo video të votës së tyre, duke theksuar se ky fenomen është nxitur nga shembuj të gabuar të dhënë nga vetë eksponentë të mazhorancës. Ai përmendi një rast konkret ku Kryeministri Rama publikoi një foto të një familjeje nga diaspora me zarfin e votimit, si dhe një deklaratë të Damian Klosit në Dibër, ku u përmend vota e parë e ardhur nga diaspora dhe preferenca e saj politike.
“Votuesit duhet të jenë të kujdesshëm. Fotot apo videot e votës janë vepër penale dhe mund të kenë pasoja të rënda. Ato cenojnë parimin e fshehtësisë së votës, një nga shtyllat kryesore të procesit demokratik,” u shpreh Logu.
Ai theksoi se PD do të vazhdojë t’u bëjë apel të gjithë votuesve nga diaspora që të respektojnë parimin kushtetues për një votë të barabartë dhe të fshehtë, duke shmangur çdo veprim që mund të konsiderohet presion apo shkelje ligjore.