Skandali i radhës në MAShTI: Arbërie Nagavci sfidon Gjykatën Supreme, kap akreditimin me vendim të paligjshëm
Zyrtarë të punësuar me ndikim futen në komisione kyçe; ndërhyrjet e ministres përsëriten. Kosova ka nevojë për një SPAK që t’i marrë në përgjegjësi shkelësit e ligjit, pa dallim posti

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka shkelur haptazi ligjin dhe aktgjykimet e Gjykatës Supreme, duke nxjerrë një vendim të paligjshëm për formimin e një komisioni që synon kontrollin e akreditimit të programeve trajnuese për mësimdhënësit. Ajo ka zgjedhur t’i injorojë rregullat, të sfidojë gjykatat dhe të krijojë një mekanizëm të kapjes së plotë politike të procesit të akreditimit, proces që me ligj duhet të jetë i pavarur dhe profesional. Në vend të kësaj, ministrja po e shndërron në një instrument të vullnetit të saj politik.
Mjafton të lexohet vendimi i fundit për të kuptuar që ky nuk është grup punues teknik, por një komision i fabrikuar, i dizajnuar për të futur njerëz të emëruar rishtazi me ndikim politik në një proces bazë për cilësinë e arsimit në vend. Gjykata Supreme ka qenë e qartë: ministrat në Qeverinë Kurti nuk kanë kompetencë të ndërhyjnë në akreditim, licencim dhe çështje që kërkojnë pavarësi absolute institucionale. Por Nagavci, me vendim personal, ka bërë pikërisht të kundërtën, duke e kthyer procesin e akreditimit në një vegël kontrolli politik.
Në komision shfaqen zyrtarë të punësuar kohëve të fundit në MAShTI, të cilët, sipas burimeve të brendshme, janë punësuar me ndikimin direkt të ministres. Personat e vendosur atje nuk kanë përvojë profesionale të mjaftueshme dhe nuk i përmbushin kriteret e një trupi që merr vendime me peshë të madhe për licencimin dhe avancimin profesional të mësimdhënësve. Me futjen e tyre në këtë komision, ministrja krijon një konflikt të rëndë interesi dhe shkel hapur Ligjin për Konflikt Interesi.
Dhe nuk është hera e parë. Mediat kanë raportuar edhe më herët për ndërhyrjet e Nagavcit në procedurat e përzgjedhjes së inspektorëve, të zyrtarëve dhe të komisioneve të ndryshme brenda MAShTI-t. Këto ndërhyrje janë ndjekur nga skandale të mbylljes së konkurseve, emërimeve me ndikim politik dhe krijimit të strukturave që i shërbejnë një rrethi të ngushtë brenda ministrisë. Tani, ajo ka kaluar në fazën më të rrezikshme: kapjen e akreditimit, procesit që përcakton cilësinë e arsimit dhe fatin profesional të mijëra mësimdhënësve.
Ky është një model i mirëfilltë i kapjes institucionale, i ndërtuar me paramendim dhe me qëllimin e qartë që vendimmarrja profesionale të zëvendësohet me urdhëra politike. Elementet e veprave penale janë të dukshme: keqpërdorim i pozitës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe cenim i barazisë së qytetarëve para ligjit. Në një shtet ligjor funksional, veprime të tilla do t’i çonin përgjegjësit para Prokurorisë, e jo në pozita edhe më të fuqishme.
Kosova ka nevojë urgjente për një mekanizëm të pavarur të ngjashëm me SPAK-un e Shqipërisë – një organ anti-korrupsion që nuk i druhet asnjë ministri, asnjë zyrtari të lartë dhe që nuk ndalet përballë presionit politik. Derisa në vend nuk ekziston një strukturë e tillë, shkeljet do të vazhdojnë, pushteti do të mbetet i paprekur dhe institucionet si MAShTI do të vazhdojnë të dëmtohen nga vendimet e njëanshme, të padobishme dhe të paligjshme.
Ky skandal nuk prek vetëm emra të përveçëm; prek sistemin arsimor, prek mësimdhënësit, prek nxënësit dhe prek të ardhmen e këtij vendi. Derisa ministrat veprojnë mbi ligjin, Kosova nuk mund të pretendojë se po ndërton arsim cilësor apo një shtet modern e profesional. Për këtë arsye, kërkimi i përgjegjësisë nuk është luks, është domosdoshmëri kombëtare



