Vlorë – Policia rrugore intensifikon kontrollet: 9 të arrestuar, 2525 masa administrative vetëm në prill

Policia Rrugore e Vlorës ka intensifikuar ndjeshëm kontrollet në akset rrugore urbane dhe interurbane, me fokus në rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve. Si rezultat, gjatë 10 ditëve të para të muajit prill janë arrestuar 9 drejtues automjetesh, janë pezulluar 6 leje drejtimi dhe janë vendosur mbi 2525 masa administrative.
Tre prej të arrestuarve u kapën në flagrancë duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Njëri prej tyre, shtetasi N. Sh., 25 vjeç, banues në Fier, jo vetëm që ndodhej nën efektin e alkoolit, por edhe tentoi të korruptonte punonjësit e policisë me një shumë prej 4000 lekësh, me qëllim shmangien e ndëshkimit.
Ndërkohë, A. B., 44 vjeç, dhe S. Sh., 34 vjeç, të dy banues në Vlorë, u ndaluan gjithashtu për drejtim nën ndikimin e alkoolit.
Shkeljet më të zakonshme të evidentuara gjatë kontrolleve janë:
314 gjoba për parakalime të gabuara,
171 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurimit,
124 gjoba për përdorim të celularit gjatë drejtimit,
51 drejtues të ndëshkuar për drejtim nën efektin e alkoolit,
51 masa për tejkalim të shpejtësisë përtej normave të lejuara.
Policia Rrugore e Vlorës apelon për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, duke theksuar se shpejtësia, alkooli dhe përdorimi i celularit janë ndër faktorët kryesorë që rrezikojnë jetën në rrugë. Kontrollët do të vijojnë me të njëjtin intensitet gjatë gjithë muajit.