Tri skuadrat kosovare në mision fitoreje sonte në arenën evropiane

Sonte, tri klubet basketbollistike të Kosovës do të zbresin në parket për ndeshje të rëndësishme në garat evropiane, duke kërkuar fitore që do të rrisnin gjasat për vazhdim në fazat e mëtejme.
Kampionia e Kosovës, Trepça, pret skuadrën polake Anwil në palestrën “Minatori” të Mitrovicës, me fillim nga ora 18:30, në kuadër të Grupit J të FIBA Europe Cup. Të dy ekipet janë ende pa fitore në këtë grup, pasi në dy takimet e para kanë pësuar humbje nga PAOK dhe Braunschweig. “Xehetarët” synojnë të përfitojnë nga mbështetja e tifozëve mitrovicas për ta regjistruar fitoren e parë evropiane në shtëpi këtë edicion.
Kujtojmë që Anwil për të siguruar vendin në fazën e grupeve kishte eliminuar Bashkimin pas dy ndeshjeve, megjithëse në Prizren kishte pësuar humbje.
Ndërkohë, Bashkimi do të përballet me skuadrën e njohur franceze Dijon, në një tjetër përballje të Grupit J të FIBA Europe Cup, që zhvillohet nga ora 19:00. “Portokallezinjtë”, që po debuton në këtë garë evropiane, do të kërkojnë fitoren e parë pas dy humbjeve të pësuara ndaj Cibona dhe Pallacanestro Reggiana.
Në të njëjtën kohë, Sigal Prishtina do të zhvillojë ndeshjen e tretë në Ligën ENLB, ku është në kërkim të fitores së tretë radhazi. Kryeqytetasit do të jenë mysafirë të Slovan Bratislava, me ndeshjen që fillon në ora 19:00. Prishtina deri tani ka regjistruar dy fitore — ndaj Brussels Basketball (80:75) dhe Gimle Basket (90:79) — ndërsa skuadra sllovake ka një fitore dhe dy humbje.
Tre sfida që pritet të sjellin emocione për basketbollin kosovar, me shpresën se mbrëmja do të mbyllet me fitore për të gjitha skuadrat nga Kosova.



