Kosova

Tre të arrestuar për krime lufte kundër civilëve në Kosovë

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në krime lufte kundër popullatës civile gjatë viteve 1998-1999. Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24-orësh të Policisë, ku thuhet se rasti është trajtuar si “Krime lufte kundër popullatës civile” dhe se të arrestuarit janë vendosur në ndalim për 48 orë.

Ngjarja lidhet me komunat e Prishtinës dhe Lipjanit gjatë kohës së luftës në Kosovë. Pas një periudhe të gjatë hetimesh, policia ka arritur të lokalizojë dhe arrestojë fillimisht dy persona në qytetin e Lipjanit, në dy lokacione të ndryshme. Ata janë identifikuar si B.T. (mashkull) dhe N.C. (femër). Më pas, në kuadër të të njëjtit operacion, është ndaluar edhe personi i tretë, M.I. (mashkull), në Prishtinë.

Sipas autoriteteve, të dyshuarit akuzohen për veprime çnjerëzore ndaj të ndaluarve shqiptarë gjatë luftës, përfshirë dhunë fizike dhe psikike, ndërsa ushtronin funksionin e gardianëve dhe zyrtarëve korrektues në institucionet ndëshkuese të Prishtinës dhe Lipjanit.

Hetimet për këtë rast po vazhdojnë nga organet kompetente.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button