
SPAK ka dhënë pretencën për ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka duke kërkuar 4 vite burg por për shkak të gjykimit të shkurtuar nëse ai shpallet fajtor, dënimi zbret në 3 vite.
Sipas prokurorit të SPAK, Klodian Braho është e provuar që Aurel Zarka, i pandehur në çështjen ‘Toyota Yaris’ ka kërkuar para për çështje të ndryshme në bashkëpunim me Radovan Çelën dhe Erjona Daupajn.
Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën duke kërkuar dënimin me 4 vite burg për ish-kreun e Prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka lidhur me dosjen e ashtuquajtur ‘Toyota Yaris’. Nëse shpallet fajtor, Zarkës i zbret 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe në këtë mënyrë do të vuajë 3 vite burg.
I pandehuri nuk ishte i pranishëm në seancë por përfaqësohej nga avokati, ndërsa prokurori i SPAK Klodian Braho në leximin e kërkesës për gjykim, ceku disa elementë rreth provave që implikojnë të Aurel Zarkën.
‘Nga hetimet ka rezultuar se Aurel Zarka ka qenë një nga përdoruesit e Sky Eç, që mundësonte komunikime të fshehta. Është provuar se ka kërkuar vlera monetare për një çështje në Prokurorinë e Vlorës. Është provuar se ka kërkuar vlera monetare për favorizimin e një tjetër çështje, në bashkëpunim me Radovan Çelën. Oficerja e policisë gjyqësore Eriona Daupaj mori 10 mijë euro në mënyrë që të zbusnin masën e sigurisë’.
SPAK thotë se Zarka duhet shpallur fajtor për “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, “Korrupsioni aktiv”, e kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv”
Dosja për Zarkën u nda nga pjesa tjetër e grupit, pasi nuk u arrit të kapeshin këta të fundit. Vetëm pas nisjes së gjykimit, u vetëdorëzua avokati Radovan Çela. Ndërkohë mbeten në kërkim Erjona Daupaj dhe Astrit Vladi. Lidhur me këtë dosje vijojnë hetimet në një procedim tjetër të ndarë ku po heton persona dhe episode të tjera korrupsioni dhe ushtrimi të ndikimit të paligjshëm, një pjesë e të cilëve edhe kanë dhënë deklarime. Dosja “Toyota Yaris” u kthye në një ping-pong mes ish-Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Prokurorisë së Tiranës sa i takon kompetencës dhe trajtimit si ‘Pastrim parash’ dhe ‘Grup kriminal’ apo ‘Mosdeklarim i të hollave në kufi’.