Procesi në Hagë: Mbyllet faza e paraqitjes së provave nga Prokuroria kundër Thaçit dhe të tjerëve

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përfunduar zyrtarisht fazën e paraqitjes së provave në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, si dhe ish-zyrtarëve të lartë të UÇK-së Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi më 3 prill 2023 në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Gjatë kësaj faze, ZPS-ja paraqiti 3 000 prova materiale në disa gjuhë dhe thirri në sallën e gjyqit 125 dëshmitarë për të dhënë dëshmi të drejtpërdrejta, ndërsa dorëzoi mbi 1 430 parashtresa ligjore lidhur me çështjen.
Katër të pandehurit akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e mbi 100 personave, ndalime të paligjshme dhe torturë të qindra civilëve, kryesisht gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999, në disa lokalitete në Kosovë dhe Shqipërinë e veriut.
Sipas aktakuzës, krimet janë kryer ndaj civilëve dhe personave që nuk kanë marrë pjesë në luftime. Në këtë proces, mbi 150 viktima janë përfshirë dhe përfaqësohen nga Avokati i Viktimave.
Prokurorja e Specializuar Kimberly West vlerësoi kurajën e viktimave dhe dëshmitarëve që kanë dëshmuar gjatë dy viteve të fundit:
“Gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë duartrokas kurajën e tyre që folën hapur në sallën e gjyqit.”
Ajo shprehu mirënjohje ndaj të gjithë atyre që kontribuuan në mbledhjen dhe paraqitjen e provave dhe nënvizoi rëndësinë e drejtësisë për të ardhmen e Kosovës:
“Duhet gjithmonë të përballemi me krime si vrasja dhe tortura. Për Kosovën është jetike që sundimi i ligjit dhe procesi gjyqësor të respektohen për të ruajtur integritetin dhe për të zbuluar të vërtetën.”
Faza e mbrojtjes pritet të nisë në vijim, ndërsa ky proces mbetet një nga më të rëndësishmit në historinë e pasluftës për Kosovën dhe drejtësinë ndërkombëtare.