Sport

Ronald Araujo emocionon tifozët gjatë festës: “Na mungon Liga e Kampionëve, por ajo do të vijë”

Mbrojtësi uruguaian i Barcelonës, Ronald Araujo, ka reflektuar me emocion mbi një sezon sfidues për veten, por triumfues për ekipin. Pavarësisht një dëmtimi që e mbajti larg fushave për muaj të tërë dhe konkurrencës së fortë nga emrat e rinj si Pau Cubarsi dhe Inigo Martinez, Araujo mbeti një figurë kyçe në shpirtin e skuadrës.

Gjatë paradës festive në rrugët e Barcelonës, pas fitimit të titullit kampion në La Liga, Araujo u shfaq i emocionuar përpara mijëra tifozëve entuziastë.
“Jemi shumë të lumtur. Kemi punuar shumë gjatë këtij sezoni. Askush nuk na dha një shans në fillim, por ja ku jemi, kampionë të Spanjës,” u shpreh ai me krenari.

Ai vlerësoi gjithashtu ndryshimet pozitive brenda klubit, duke përmendur kontributin vendimtar të akademisë legjendare të Barcelonës.
“Klubi ka bërë ndryshime të rëndësishme. Kemi një staf teknik shumë të mirë dhe La Masia është thjesht e jashtëzakonshme,” tha Araujo, duke nënvizuar rëndësinë e të rinjve në suksesin e këtij sezoni.

Në fund, ai ndau me tifozët një mesazh shprese dhe besimi për trofeun më të lakmuar nga klubi katalanas – Ligën e Kampionëve.
“Jemi shumë të lumtur për tifozët tanë Culers. Na mungon Liga e Kampionëve, të cilën e meritojmë, por ajo do të vijë. Na besoni,” përfundoi me vendosmëri mbrojtësi 25-vjeçar.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button