Shpëlarja e gojës me ujë pas larjes së dhëmbëve, një zakon që mund t’ju dëmtojë

Një zakon i përhapur që shumica prej nesh ndjekin pas larjes së dhëmbëve, si shpëlarja e gojës me ujë, mund të jetë më i dëmshëm sesa mendohet. Dentistët paralajmërojnë se kjo praktikë redukton ndjeshëm efektin mbrojtës të pastës së dhëmbëve, duke rritur rrezikun për prishjen e tyre.
Dr. Arash Ravanbakhsh, dentisti kanadez i cili foli për ‘New York Post’, shpjegon se shpëlarja me ujë largon fluoridin, përbërësin kyç të pastës së dhëmbëve që mbron kundër kariesit. “Fluori është jashtëzakonisht efektiv në parandalimin e dëmtimit të dhëmbëve dhe konsiderohet një nga arritjet më të mëdha të shëndetit publik në shekullin e kaluar,” thekson ai.
Ekspertët nga Universiteti i Dundee-s, Clement Seeballuck dhe Nicola Innes, nënvizojnë rëndësinë e mbajtjes së fluoridit në sipërfaqen e dhëmbëve gjatë natës, pasi gjatë këtij periudhe trupi prodhon më pak pështymë, gjë që i bën dhëmbët më të ndjeshëm ndaj sulmeve acidike dhe baktereve.
Në vend që të shpëlani gojën me ujë pas larjes së dhëmbëve, dentistët rekomandojnë që vetëm të pështyni pastën. Kjo praktikë lejon që fluori të qëndrojë më gjatë në smaltin e dhëmbëve, duke ulur rrezikun e kariesit deri në 25%, sipas disa studimeve.
Këshilla më e thjeshtë mund të jetë ndryshimi që i nevojitet gojës suaj për t’u mbrojtur më mirë.