Lajme

Përplasje me armë në një restorant në Tiranë, dyshohet për plagosje për shkak të borxheve me fajde

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Sami Frashëri”, ku një person ka mbetur i plagosur pas një konflikti të armatosur në ambientet e një restoranti.

Sipas dëshmive të dëshmitarëve dhe pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë, mësohet se shtatë persona ishin ulur në një tavolinë brenda lokalit, kur papritur dy prej tyre janë përfshirë fillimisht në një debat verbal, i cili ka degjeneruar në përleshje fizike. Konflikti ka nisur pas një gjesti të thjeshtë, ku njëri prej personave refuzoi t’i jepte dorën tjetrit, duke e ofenduar atë. Sherri agravoi duke përfshirë edhe goditje me karrige dhe në një moment është përdorur edhe armë zjarri.

Të përfshirët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me katër automjete të ndryshme për të shmangur ndjekjen nga policia. Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur një gëzhojë dhe njolla gjaku, ndërsa ka sekuestruar një armë zjarri tip pistoletë që dyshohet t’i ketë rënë autorit gjatë sherrit.

Arma është dërguar në laborator për analizë balistike dhe për të identifikuar shenjat e gishtave dhe ADN-në e mundshme të autorit. Nga të dhënat e para, dyshohet se një person është plagosur nga të shtënat dhe është transportuar në një spital privat, por identiteti dhe mosha e tij nuk janë bërë ende të ditura.

Burime pranë hetuesve thonë se pista kryesore e hetimit është konflikti për borxhe me fajde. Megjithëse kanë kaluar më shumë se 12 orë nga incidenti, Policia e Tiranës ende nuk ka bërë një deklaratë zyrtare lidhur me ngjarjen. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të përfshirë në përplasjen e armatosur.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button