Bota

Përplasja Indi–Pakistan rrezikon përshkallëzimin ushtarak: G7 dhe SHBA kërkojnë ulje tensioni

Kriza mes Indisë dhe Pakistanit ka hyrë në një nga fazat më të rënda të saj në më shumë se tre dekada, pasi të dyja fuqitë bërthamore kanë kryer sulme ajrore reciproke në territorin e njëra-tjetrës. Situata e sigurisë në rajon është përshkallëzuar ndjeshëm, duke ngritur shqetësime të thella për një përballje të mundshme ushtarake në shkallë të gjerë.

Sipas burimeve nga shërbimet e sigurisë pakistaneze, forcat ajrore të Pakistanit goditën sot objektiva brenda territorit indian, në një kundërpërgjigje ndaj një sulmi të mëhershëm nga India, e cila kishte në shënjestër disa baza ushtarake pakistaneze, përfshirë një pranë kryeqytetit Islamabad.

Zhvillimet e fundit pasojnë ditë të tëra tensionesh përgjatë vijës së kontrollit në rajonin e kontestuar të Kashmirit. Deri tani, raportohen rreth 50 viktima civile, ndërsa komuniteti ndërkombëtar është alarmuar për pasojat që një përplasje e tillë mund të ketë në stabilitetin global.

Grupi i Shtatë vendeve më të industrializuara (G7) ka bërë thirrje për “ulje të menjëhershme të tensioneve” dhe për vetëpërmbajtje nga të dyja palët. Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe SHBA, ku Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, përmes një deklarate të Departamentit të Shtetit, ka kërkuar “rivendosjen e komunikimit të drejtpërdrejtë mes palëve për të shmangur çdo llogaritje të gabuar”.

Rubio gjithashtu ka ofruar ndërmjetësimin amerikan për të ndihmuar në uljen e krizës, duke theksuar se një konflikt i tillë mes dy vendeve bërthamore përbën një rrezik serioz për paqen rajonale dhe ndërkombëtare.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button