Lajme
Kryesore

Parkimi në Tiranë, luks i shtrenjtë: Çmimet arrijnë deri në 80 mijë euro

Parkimi i automjetit në Tiranë është kthyer jo vetëm në një sfidë të përditshme për qytetarët, por edhe në një luks të kushtueshëm. Si në aspektin e blerjes së vendeve të parkimit të nëndheshëm, ashtu edhe për qëndrimin ditor apo mujor të mjeteve, kostot janë rritur ndjeshëm.

Çmimet për blerjen e një vendi parkimi në objektet rezidenciale të reja variojnë ndjeshëm në bazë të zonës. Sipas të dhënave nga ndërtuesit dhe agjentët imobiliarë, ato nisin nga 13 mijë euro në periferi dhe arrijnë deri në 80 mijë euro në zonat më elitare të kryeqytetit.

Kreu i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Erjon Harizi, thekson se çmimet janë të lidhura ngushtë me pozicionin gjeografik dhe zhvillimin urban të zonës. Në periferi si Kinostudio apo afër Rrugës Bardhyl, çmimet variojnë nga 15,000 deri në 25,000 euro, ndërsa në zona si Unaza e Vogël dhe më afër qendrës ato rriten nga 20,000 deri në 30,000 euro. Në zonat qendrore si ish-Blloku, Komuna e Parisit dhe Stadiumi “Selman Stërmasi”, çmimet shkojnë nga 25,000 deri në 35,000 euro, ndërkohë që në godina luksoze apo me akses të kufizuar, ato kalojnë edhe 50,000 deri në 80,000 euro.

Në zonat në zhvillim si Astiri, çmimet qëndrojnë mes 13,000 deri në 18,000 euro. Në Kashar, një tjetër zonë periferike, çmimet variojnë nga 8,000 deri në 15,000 euro, ndërsa në zonën e Liqenit të Thatë parashikohet të arrijnë në 25,000 euro.

Në godinat në ndërtim si “SanPaolo Bulevard”, çmimet janë rritur me 35% gjatë fazave të ndryshme të ndërtimit. Ndërkohë, në kullat luksoze si “Ekspozita Building” dhe “West Residence”, vendet e parkimit shiten deri në 60,000 euro, me sipërfaqe rreth 43 metra katror.

Rritja e çmimeve vjen si pasojë e kërkesës së lartë. Me shtimin e vazhdueshëm të numrit të automjeteve dhe mungesën e hapësirave publike për parkim, qytetarët detyrohen të blejnë ose të marrin me qira vende parkimi. Marrja e gjobave për parkim të gabuar shpesh është më e kushtueshme sesa vetë tarifat e parkimit, duke nxitur blerjen si një nevojë, jo luks.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Rrugor, në fund të vitit 2024, në Tiranë ishin të regjistruara rreth 330 mijë makina, për një popullsi prej rreth 600 mijë banorësh – një raport prej një makine për çdo dy persona. Vetëm gjatë vitit 2024 u regjistruan për herë të parë mbi 41 mijë automjete, pjesa më e madhe të importuara nga Koreja e Jugut.

Në të gjithë vendin, shqiptarët vijojnë të kenë më pak makina për banor në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian. Megjithatë, përqendrimi i automjeteve në kryeqytet po e bën gjithnjë e më të vështirë jetesën urbane, duke e kthyer parkimin në një privilegj që pak qytetarë mund ta përballojnë financiarisht.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button