CDU/CSU kërkojnë reformimin e ligjit të shtetësisë dhe kufizimin e dyshtetësisë në Gjermani

Unioni CDU/CSU po kërkon një reformë të thellë të ligjit gjerman të shtetësisë, duke kërkuar kufizime ndaj shtetësisë së dyfishtë dhe heqjen e pasaportave për ata që kërcënojnë vlerat kushtetuese të vendit.
Deputeti i CSU-së në Bundestag, Stefan Mayer, deklaroi për gazetën Bild se “Gjermania duhet të pyesë veten nëse ende mund të përballojë një shtetësi të dyfishtë universale”, duke kërkuar që reforma e ligjit të shtetësisë të jetë “themelore”. Ai theksoi se personave me dy pasaporta që janë “kriminelë të rëndë, armiq të kushtetutës, antisemitë apo urrejtës të gjermanëve” duhet t’u hiqet nënshtetësia.
“Ne nuk mund t’u japim njerëzve privilegjin e shtetësisë dhe pastaj ata të shkelin mbi vlerat tona,” tha Mayer.
Në të njëjtën linjë, politikanja e CDU-së Cornell Babendererde u shpreh se “shtetësia e dyfishtë duhet të jetë përjashtim, jo rregull”, duke vënë në dyshim motivet e atyre që kërkojnë ta mbajnë pasaportën e vendit të origjinës.
Sipas saj, nëse 80 për qind e personave që u natyralizuan në vitin 2023 kanë mbajtur edhe pasaportën e tyre të mëparshme, duhet pyetur nëse ky proces udhëhiqet nga përkushtimi ndaj Gjermanisë apo nga përfitimet praktike që ofron pasaporta gjermane.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2024, rreth 292,000 persona morën shtetësinë gjermane, një rritje me 46 për qind krahasuar me një vit më parë – duke shënuar rekord të ri. Një në katër prej tyre është me origjinë nga Siria. Ndërkaq, në vitin 2023, 80.9 për qind e të natyralizuarve ruajtën pasaportën e tyre të mëparshme.
Ndërsa Unionet CDU/CSU kërkojnë ndryshime në ligj, Partia Socialdemokrate (SPD) ka refuzuar çdo nismë për heqjen e shtetësisë së dyfishtë apo kufizimin e saj. Për ndryshimin e ligjit, CDU/CSU do t’u duhet të sigurojnë mbështetjen e partive në pushtet, çka aktualisht duket e pamundur.
Së fundmi, autoritetet gjermane kanë hequr mundësinë e marrjes së shtetësisë me procedurë të përshpejtuar brenda tre vitesh, për personat e konsideruar “të integruar mirë”, siç parashikohej më herët në ligj./DW



