Media të mëdha amerikane: Berisha mund të udhëtojë drejt SHBA pas zgjedhjeve të 11 majit

Lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha, do të mund të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara pas zgjedhjeve të 11 majit, pasi Departamenti Amerikan i Shtetit ka lejuar përjashtim nga shpallja “non grata”. Lajmi u konfirmua fillimisht nga gazetari Marc Caputo në Axios, dhe më pas u pasua nga një tjetër raportim i The Daily Signal, një media e njohur konservatore në SHBA.
“Planifikoj të udhëtoj menjëherë pas zgjedhjeve,” tha Berisha për The Daily Signal, duke e quajtur këtë zhvillim një vendim “të dobishëm” dhe një korrigjim të padrejtësisë që, sipas tij, ishte shkaktuar nga bashkëpunimi i kryeministrit Edi Rama me George Soros dhe ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal.
Ky ndryshim vjen përpara zgjedhjeve vendore të së dielës, ku Berisha po udhëheq Partinë Demokratike përballë Partisë Socialiste të Edi Ramës. Berisha ka angazhuar në fushatë Chris LaCivita, strategun republikan që udhëhoqi fushatën presidenciale të Donald Trump më 2024.
Në një analizë të gjatë të The Daily Signal, Berisha dhe aleatët e tij denoncojnë ndikimin e Soros në sistemin gjyqësor shqiptar dhe në reformën në drejtësi, që sipas tyre është përdorur për të goditur opozitën. Fondacioni “Shoqëria e Hapur”, i themeluar nga George Soros dhe aktualisht i drejtuar nga djali i tij, Alex Soros, ka financuar dhjetëra projekte në Shqipëri që nga vitet 1990.
Berisha është aktualisht nën hetim nga SPAK për çështjen e tokës së ish-Kompleksit Partizani, por ai e konsideron procesin politikisht të motivuar. Akuzat u ngritën pas një kallëzimi nga Taulant Balla në vitin 2020.
Ndërkohë, Departamenti i Shtetit ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare të plotë, por një zëdhënës tha për Axios se përjashtimet nga ndalimi i hyrjes jepen në përputhje me interesat kombëtare të SHBA-së.