Përparim Spahiu denoncon presionet ndaj emigrantëve dhe punonjësve publikë: “Qeveria po përdor frikën për të kontrolluar votën”

Kandidati i Partisë Demokratike në Qarkun e Dibrës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Përparim Spahiu, ka ngritur alarmin mbi presionet që, sipas tij, po ushtrohen ndaj emigrantëve dhe punonjësve të sektorit publik për të votuar partinë në pushtet.
Në një postim në Facebook, Spahiu akuzon qeverinë se po përdor frikën dhe varësinë ekonomike për të manipuluar vullnetin e qytetarëve. Sipas tij, të punësuarit në administratë dhe përfituesit e ndihmës ekonomike apo pensioneve po detyrohen jo vetëm të votojnë, por edhe të fotografojnë votën e tyre si dëshmi bindjeje ndaj partisë në pushtet.
“Fotografimi i votës nuk ndihmon askënd — as atë që ta kërkon, as vendin. Ai që e bën këtë, bëhet skllav i një rroge të mjerë, shpesh vetëm 40 mijë lekë në muaj”, shkruan Spahiu, duke e konsideruar këtë si një formë moderne shantazhi dhe nënshtrimi.
Ai paralajmëron se Shqipëria rrezikon të mbetet peng i një shteti që, në vend se të fuqizojë qytetarët, ushtron presion mbi më të dobëtit dhe ruan pushtetin përmes frikës. Spahiu u bën thirrje qytetarëve të votojnë të lirë, me ndërgjegje të pastër dhe për një ndryshim të vërtetë.
“Vota e lirë është themeli i çdo shteti të drejtë. Pa të, nuk ka demokraci”, përfundon kandidati demokrat.