Sport

Memphis Depay mohon përfshirjen në shkarkimin e trajnerit Díaz: “Janë gënjeshtra të medieve”

Klubi brazilian Corinthians ka marrë një vendim të bujshëm duke shkarkuar trajnerin Díaz, çka ka ndezur menjëherë spekulimet për pasardhësin e tij. Mes emrave të përfolur për të marrë drejtimin e skuadrës janë Tite dhe Dorival Junior, dy ish-trajnerë të Kombëtares së Brazilit.

Në këtë situatë të tensionuar, ka reaguar edhe Memphis Depay, ylli holandez që aktualisht është pjesë e klubit brazilian. Ai ka hedhur poshtë kategorikisht çdo përfshirje të tij në largimin e trajnerit, duke e quajtur një gënjeshtër mediatike.

“Nuk kam asnjë lidhje me këtë vendim. Janë thjesht gënjeshtra të medieve,” – u shpreh Depay. – “Nuk besoj gjithçka që thuhet në medie dhe nuk dua të spekuloj mbi trajnerët e ardhshëm. Nuk kam ndikuar në asnjë mënyrë në këtë vendim.”

Depay u ndal edhe te ndikimi që sipas tij kanë thashethemet te tifozët dhe atmosfera brenda ekipit. Ai kritikoi mënyrën sesi mediat përdorin titujt për të krijuar ndasi dhe konfuzion.

“Titujt e gazetave krijohen për të argëtuar njerëzit, jo për të thënë të vërtetën. Mesazhi im për tifozët është: jo gjithçka që lexoni është e vërtetë. Nëse kam diçka për të thënë, do ta dëgjoni nga goja ime.”

Me tone të ashpra, Depay hodhi poshtë edhe raportimet për pakënaqësi në dhomën e zhveshjes:

“Lexoj gjëra si: ‘Dhoma e zhveshjes është e zemëruar me Memphis sepse ka thënë diçka’. Po kush ia ka thënë këto medieve? E pyes me të vërtetë veten. Këto janë ‘bomba’ për të krijuar kaos mes skuadrës dhe tifozëve.”

Ai theksoi se skuadra është e fokusuar te puna në fushë dhe se synimi i vetëm është rikthimi i klubit aty ku e meriton.

Me këtë deklaratë të qartë dhe të drejtpërdrejtë, Depay ka tentuar të shuajë çdo dyshim mbi një rol të mundshëm të tij në prapaskenë, duke vendosur fokusin te uniteti dhe rezultatet sportive.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button