
Debat i fortë në ‘Studio Live’, Arben meçe denoncon si shkeljetërëndë të protokollit takimet në Asamblenë e PE-së nga presidenti grek, duke i cilësuar një lobim që pas ka Dulen e Belerin. Akuzon Berishën se ka shitur interesat e Shqipërisë te Greqia, kujton edhe ekstremistin Mondi Kolila në takimin e kreut të PD. Sekretari i Omonias, Marin Suli, e kundërshton.
Lobi ekstremist grek, tani edhe në politikën e madhe të atij vendi, qëndron pas Sali Berishës dhe po hakmerren për burgosjen e Fredi Belerit.
Presidenti i Asamblesë në PE shkeli protokollin duke takuar një kryetar partie, sepse qëndron pas politikës greke si një prej eurodeputetëve të saj.
Kështu denoncoi sot në ‘Studio Live’ të Report Tv analisti dhe ish-deputeti demokrat Arben Meçe, duke iu referuar takimeve të zhvilluara nga kryetari i PD-së në Strasburg. Duke i bashkuar pjesët e të gjitha zhvillimeve, përfshi edhe takimin e Berishës në Greqi i shoqëruar nga Dule dhe Beleri, me prezencën e Mondi Kolilës, i dënuar për aktivitet antishqiptar nga Gjykata dhe që kërkon autonominë e Himarës, Meçe shprehet se duket qartë qëllimi i lobit ekstremist grek.
Kurse për Berishën nënvizon se ai i ka shitur interesat e vendit te Greqia. Këto deklarata i kundërshtoi Sekretari i OMONIA-s, Marin Suli, që tha se nuk ka as lob grek dhe as interesa antishqiptare që duan të helenizojnë Himarën apo jugun e vendit, kurse për takimet e Berishës në Asamble, tha se ishin të përfshira në axhendë zyrtare.
“Takimin e Berishës në Asamblenë e Parlamentit Europian e denoncova. Ka konjuktura greke që veprojnë. Krijon ngjarje me influencë të detyruar. T’i paraqitësh në Shqipëri si ndikime të PE-së është e padrejtë, është manipulim dhe duhet ta denoncojmë. Por që lobi grek i organizon këto takime është e drejtë, le t’i bëjnë, s’ka asnjë problem, por jo që të na i shesin këtu si deklarata zyrtare të Parlamentit Europian. Greqia e ka thënë hapur se do hakmerret për Fredi Belerin dhe po hakmerret, por ndaj kujt? Këto takime të organizuara në këtë mënyrë lidhet me atë që thashë, me ndikim edhe te zgjedhjet. Zgjedhjet nuk duhet të kenë ndikim të jashtëm. Faktor ekstremist, edhe nëpërmjet këtij takimi në Strasburg, tani e shoh të implikuar edhe politikën e lartë greke, tërësisht të përfshirë, deri te grupet e Demorkacisë së Re, drejtues e deputetë të saj, deri në Parlamentin Europian”, shprehet Meçe.
Ai ngre paradoksin se si një kryetar Asambleje pret në takim kryetarin e një partie politike, pa përfaqësues të tjerë, pa protokoll zyrtar dhe në mënyrë të njëanshme. Për ta përforcuar, meçe nënvizon se nëse ishte Dule si pjesë e koalicionit të Berishës, pse nuk ndodhej ndonjë përfaqësues i Partisë së Lirisë?
“Pyetja që ngrihet është se çfarë përfaqëson Sali Berisha atje, kur shkoi dhe u ul në tavolinën e kryetarit të PE-së, si e transmetoi këtë në faqen zyrtare. Nuk ndodh që një kryetar asambleje europiane të takojë kryetarin e partisë, pra ka protokoll dhe është shkelur nga Parlamenti Europian. Me çfarë statusi e takoi? Pra presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës takon Berishën, pra është ‘Beleri i dytë’ ky që takon Berishën. Kemi dhe tjetrën, partinë e Belerit që bën takim po me Berishën, e ka kryeministër Beleri kryetarin e Demokracisë së Re. Pra në këto faqe jepen takimet e Berishës, por kjo është shkelje e protokollit nga Demokracia e Re e Greqisë, pasi u transmetuan sikur PE ishte kaq shumë e interesuar, por nuk u tha me asnjë vend se kjo u bë nga lobi grek atje. Pra pas kësaj është kolegu i Belerit, asnjë nuk e tha”, vijoi ish-deputeti analizën e tij.
Këto deklarata i kundërshtoi Suli, i cili këmbënguli se takimi ishte me axhendë zyrtare.
“Këto që tha Meçe janë të gjitha në Uikipedia, ai që kujtoi është në Strasburg dhe jo Bruksel. I vendosur edhe në axhendë si takim. Pra një takim faktmbledhës i kërkuar nga Sali Berisha, me përfaqësues. Nuk besoj se ka kaq lajthitje nga Parlamenti Europian, për më tepër kur bëhet fjalë për diskutime zyrtare. Por këto që thotë Meçe janë histori si me partizanë. Nuk besoj se ka lobe greke apo të tjera që punojnë kundër Shqipërisë, këto janë gjëra që i interesojnë qeverisë së Ramës që vjedh zgjedhjet. Askush nga Greqia nuk ka përmendur se do hakmerret për zotin Beleri. Shqipëria është popull mik, nuk është e Ramës, vend i NATO-s, pra duke thënë të vërtetën për të çuar vendin në BE e jo për ta çuar BE në standardet e Shqipëri. Këto janë deklaratat të bëra nga zyra e Endri Fugës dhe e aleancës së brekëve”, u shpreh ai.
Por Meçe iu kthye të ftuarit tjetër duke i kujtuar se sapo bëri një “deklaratë të poshtër” si antishqiptar dhe si i shitur.
“Nuk ka deklaratëë më të poshtër se kjo. Ti je shqiptar i shitur. Ti je shqiptar o zotëri, por ju keni identitetin e njerëzve të shitur. Kur Berisha bëri takime në PPE askush nuk tha gjë, sepse është takim partiak, e drejtë legjitime, askush nuk tha gjë. Por në asnjë mënyrë nuk mund të prezantohet në Asamblenë Parlamentare për takime zyrtare. Ka të drejtë, por vetëm me mision faktmbledhës, e me një status të caktuar të personit. Pra ky komunikim nuk bëhet drejtpërdrejtë, por nëpërmjet strukturave që kanë mandat përkatës dhe procedura. Pra presidenti i Asamblesë nuk mund ta thërrasë në atë cilësi, nuk i lejohet, por i lejohet vetëm si anëtar partie. Strukturat ekstremiste kanë depërtuar në politikën e lartë greke dhe kanë vënë në dispozicion konjukturat e tyre në BE në shërbim të politikave antishqiptare nëpërmjet politikave europiane. Ndaj duhet të shqetësohemi, sepse është takim i organizuar nga ekstremistët dhe është përhapur si një hapje e dyerve të Europës ndaj Berishës.
Pra kryetari i Asamblesë atje ka deformuar misionin e parlamentit Europian dhe bën takime politike. Kjo quhet ndërhyrje. Kaq larg ka shkuar diplomacia dhe politika greke. Por vërtetë i bënë ato takime, por ata dështuan, nuk u bë dot as edhe një deklaratë”, denoncoi ai.
Teksa Suli i kujtoi se po të ishte një italian apo gjerman president i Asamblesë nuk do ngrihej ky pretendim sikurse në rastin e Rousopoulos që është grek, Meçe iu përgjigj:
“Po të ishte një italian në krye të Asamblesë, nuk do e shkelte protokollin. Po Dule çfarë donte atje? Ai është i majtë dhe jo i PPE-ve. Unë s’e di që PPE-të thërrasin koalicione atje! Po PL-ja pse nuk çoi Tedi Blushin atje me shall e yll të kuq? Dulja ishte për një arsye atje, ishte koncesioni që Berisha i ka dhënë. Sepse edhe pa Dulen Berisha nuk shkonte dot atje.
Berisha bëri një takim edhe në Greqi, ku gjysma e tyre atje ishin helenizim, pushtim. Këta e prishin marrëdhëniet mes popullit grek dhe shqiptar, sepse duan ndarjen, pra organizata e Mondi Kolilës, minoritarit, që kërkojnë autonominë e Himarës dhe Vorioepirin. Kur ajo merr pjesë dhe anëtar i saj është Beleri, teza është e qartë. Berisha e ka shitur, ndaj e mbështesin këta. Rama i vendosi kufirin ekstremistëve grekë. Pse nuk ishte zv/presidentja e Asamblesë atje, që përfaqëson partitë e majta, nëse takimi do ishte zyrtar. Pjesa më e madhe e deputetëve atje e braktisën takimin, vetëm 40 vetë ishin. Berisha ka shitur interesat e vendit te lobi grek”, argumentoi ish-deputeti demokrat më tej.
Dhe duke përforcuar mendimin e tij, i kujtoi sekretarit të Omonias:
“Ti ke baba shpirtërr Mondi Kiolilën që e mohove, ke qenë edhe avokat i tij!”.
Por Suli e kundërshtoi, duke e quajtur Meçen gënjeshtar, ndërsa mohoi qëllimet për autonomi apo helenizim në Himarë dhe në jug të vendit. Ai mori në mbrojtje edhe Fredi Belerin për burgosjen që iu bë.
“Parlamenti Europian nuk është teori betoni, sepse nuk e kupton teorinë e betonit ti. Ti je gënjeshtar recidiv, nuk thashë politika greke. Ti thua se ka ndërhyrë lobi grek, kjo nuk është e vërtetë. Nëse ka qenë shkelje, pse s’i thonë Ramës të bëjë një mocion ndaj presidentit të Asamblesë, le të shkojë në Strasburg dhe t’ia mbledhi atij greku. E shikon çfarë niveli e çon ky muhabetin me kafe turke shqeto e raki në lokal dhe ndërton teori konsipracioni. Vetëm një hall kanë këta, të mos u shahet punëdhënësi që i mban me tenderë e shtëpi, por ky harron ministrin e Mbrojtjes, për atë nuk thotë gjë. Shqiptartë dhe grekët janë popull mik, fqinj, por jo të themi se 5 apo 7 eurodeputetë morën peng PE-në me Belerin e Dulen, kjo është lajthitje. Nuk ka helenizim të Himarës apo jugut të vendit, ajo është përsëri atje, është një nga 61 bashkitë e Shqipërisë,do jetë edhe pas 5mijë vitesh aty. Siç ka shqiptarë atje, ka edhe minoritarë shtetas grekë. Takimi i berishës ishte me agjendë të Asamblesë dhe madje me leje të SPAK. PPE ka bërë rezoluta të fuqishme ndaj kryeministrit Rama. Kjo është histori llogoreje politike, këta duan që të thirret Rama atje, por nuk ndodh më. Fredi Beleri është shembulli i persekutimit politik të kundërshtarit”, tha Suli.