Kurti pas bllokimit të Kuvendit: Qeveria jonë në detyrë, por kërkohet të largohet më shpejt se paraardhësit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas dështimit të konstituimit të Kuvendit, duke akuzuar partitë opozitare për bllokim të procesit dhe standarde të dyfishta ndaj qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në mbledhjen e qeverisë të mbajtur të mërkurën, Kurti tha se megjithëse qeveria e tij e ka përmbushur mandatin katërvjeçar dhe ndodhet në detyrë që nga 23 marsi, partitë si PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe po kërkojnë largimin e saj të menjëhershëm.
“Qeveria jonë është në detyrë dhe efektivisht e dorëhequr që nga 23 marsi, kur edhe kemi përmbushur mandatin e rregullt dhe të plotë katërvjeçar. Që nga ajo ditë dhe deri në zgjedhjen e qeverisë së re, ne ushtrojmë përgjegjësitë që i takojnë pushtetit ekzekutiv në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, tha Kurti.
Ai kritikoi faktin që opozita nuk votoi për verifikimin e mandateve të deputetëve, duke pamundësuar konstituimin e Kuvendit të ri. Sipas Kurtit, ata që nuk pranuan të marrin mandatin si deputetë, po kërkojnë nga ai që të mos jetë më kryeministër.
“Një qeveri e udhëhequr nga PDK, ndonëse me kuvend të shpërndarë, një tjetër nga AAK ndonëse e dorëhequr, e një nga LDK ndonëse e shpallur si e jashtëligjshme – kanë qëndruar në detyrë deri në formimin e qeverisë së re. Por një qeveri e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse e ka përmbushur mandatin e saj të rregullt, duhet të largohet nga zyrat një orë e më parë”, u shpreh Kurti.
Ai gjithashtu theksoi se ajo që ndodhi në Kuvend ishte e papranueshme dhe shprehu vendosmërinë e Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar qeverinë e re si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në fund, Kurti siguroi se qeveria aktuale do të vazhdojë të funksionojë në mënyrë kujdestare për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit.