Sport

Kriza në Barcelonë: Ter Stegen në qendër të debatit, rrezikon shiritin e kapitenit

E ardhmja e Marc-André ter Stegen te Barcelona po bëhet gjithnjë e më e pasigurt, pavarësisht se portieri gjerman nuk pritet të largohet këtë verë. Shkak për këtë është një ndërhyrje kirurgjikale në shpinë, që do ta mbajë jashtë fushave për tre muaj.

Vetë Ter Stegen ka konfirmuar operacionin dhe periudhën e rikuperimit, por ky afat nuk ka kaluar pa polemika. Sipas mediave spanjolle, drejtuesit e Barcelonës janë të pakënaqur me vendimin e tij për të deklaruar vetëm tre muaj mungesë. Arsyeja? Klubi shpresonte që mungesa të zgjaste të paktën katër muaj, që do t’i lejonte të përfitonin nga rregullorja e La Ligës për të regjistruar një zëvendësues të përkohshëm – konkretisht Joan Garcia – duke përdorur 80% të pagës së Ter Stegen.

Ky detaj teknik ka nxjerrë në pah tensionet e fshehura mes klubit dhe portierit, me raportime se disa drejtues katalanas dyshojnë që Ter Stegen e ka përcaktuar me qëllim afatin më të shkurtër për të mos e lejuar klubin të përfitojë. Marrëdhëniet tashmë të acaruara mes palëve, janë përkeqësuar edhe më tej nga kjo situatë.

Në këtë atmosferë tensioni, ka nisur të shtohet presioni që Ter Stegen të mos mbajë më shiritin e kapitenit. Sipas të përditshmes Sport, vendimi për këtë do të merret përpara nisjes së sezonit të ri në La Liga. Tradicionalisht, kapitenët zgjidhen përmes votimit të skuadrës së parë pas zhvillimit të Trofeut “Joan Gamper”, por disa zyrtarë po kërkojnë nga trajneri Hansi Flick që të marrë vendim të drejtpërdrejtë, duke anashkaluar procedurën e zakonshme.

Përkundër spekulimeve, largimi i Ter Stegen nuk pritet, pasi ai ka shprehur dëshirën për të qëndruar dhe dëmtimi aktual e bën të vështirë një transferim të mundshëm këtë verë. Megjithatë, tensionet me drejtuesit dhe çështja e kapitenit pritet të jenë një nga temat më të nxehta për Barcelonën gjatë kësaj vere.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button