Kreatina, jo vetëm për muskuj: Suplementi mund të ndihmojë edhe pacientët me Alzheimer

Një studim i ri pilot ka sjellë shpresë të re për pacientët që vuajnë nga sëmundja e Alzheimerit. Kreatina – suplementi që tradicionalisht lidhet me sportin dhe ndërtimin e masës muskulore – mund të ketë efekte pozitive edhe në shëndetin e trurit.
Studiues nga Universiteti i Kansasit testuan nëse kreatina mund të përdoret në mënyrë të sigurt dhe efektive tek personat me Alzheimer. Në këtë studim morën pjesë një grup i vogël prej 20 personash, të cilëve u dha 20 gramë kreatinë monohidrat në ditë për tetë javë. Rezultatet ishin inkurajuese: përveç rritjes së niveleve të kreatinës në gjak dhe në tru, pjesëmarrësit treguan përmirësime në testet e vëmendjes, leximit, kohës së reagimit dhe organizimit mendor.
“Kjo është një provë fillestare, por mjaft interesante për të hapur rrugën për kërkime të mëtejshme,” tha bashkautori i studimit, dr. Matthew Taylor, ekspert i të ushqyerit të trurit.
Kreatina ndihmon në transportimin e energjisë brenda qelizave dhe mund të stimulojë mitokondritë për të prodhuar më shumë energji. Tek pacientët me Alzheimer, të cilët shpesh përballen me ulje të funksionit mitokondrial dhe rritje të inflamacionit në tru, kjo mund të luajë një rol mbështetës.
Megjithatë, neurologët nënvizojnë se është ende herët për të rekomanduar kreatinën si trajtim për Alzheimerin. “Nuk ka ende prova të mjaftueshme klinike për të këshilluar përdorimin e përditshëm të saj për përmirësim të funksioneve njohëse,” tha neurologu dr. Amit Sachdev nga Universiteti Shtetëror i Michiganit.
Të njëjtin qëndrim ndan edhe neurologu nga Kalifornia, dr. Clifford Segil, i cili thotë se kreatina nuk është ende një suplement i miratuar për shëndetin e trurit.
Ekspertët bëjnë thirrje për kujdes dhe theksojnë se çdo vendim për përdorimin e këtij suplementi duhet të merret vetëm në konsultim me mjekun specialist. /Telegrafi/