Kreshnik Spahiu kërkon ndryshime ligjore për angazhimin e konsulentëve të huaj në fushata elektorale

Juristi Kreshnik Spahiu ka kërkuar ndryshime në legjislacionin shqiptar lidhur me angazhimin e konsulentëve të huaj nga partitë politike gjatë fushatave zgjedhore. Në një deklaratë për mediat, ai theksoi se situata aktuale nuk garanton një garë të ndershme midis partive që kanë burime të mëdha financiare dhe atyre që nuk mund të përballojnë shpenzime të tilla.
Spahiu përmendi rastin e këshilltarit Chris LaCivita, i angazhuar nga Partia Demokratike për fushatën, si një praktikë e cila aktualisht cilësohet ligjore. Megjithatë, ai ngriti shqetësimin se ndërhyrje të tilla nga jashtë vendit mund të ndikojnë në manipulimin e opinionit publik dhe ta kthejnë garën elektorale në një sfidë të pabarabartë.
“Duhet të përcaktohen me ligj disa kritere. Është e papranueshme që dikush të përfundojë në burg për 50 euro blerje vote, ndërsa të tjerët të blejnë propagandë me miliona dhe kjo të mos konsiderohet korrupsion”, u shpreh Spahiu.
Ai i bëri thirrje institucioneve të drejtësisë, përfshirë Prokurorinë dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që t’i propozojnë Kuvendit ndryshime konkrete në legjislacionin ekzistues, për të përcaktuar qartë qëndrimin e Shqipërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja në zgjedhje.
“Nëse nesër vjen Giorgia Meloni dhe bën fushatë në Shqipëri, a do të konsiderohet kjo e drejtë? Ka ardhur koha që vendi të mbajë një qëndrim të qartë për të garantuar barazi në garën zgjedhore,” përfundoi ai.