Kosovare Asllani dhuron fanellën e paraqitjes së 200-të për një tifoze nga Kosova: “E meritonte”

Kapitenja e Suedisë, Kosovare Asllani, ka bërë një gjest emocional dhe simbolik pas ndeshjes së saj të 200-të me fanellën e kombëtares, në fitoren 1-0 ndaj Danimarkës në Kampionatin Europian të Grave. Ajo kishte menduar ta mbante fanellën për kujtim, por një thirrje e veçantë nga tribunat e ndryshoi këtë vendim.
Ndërsa po largohej nga fusha, një grua nga publiku, në moshën e nënës së saj, i kërkoi fanellën me një zë të dëshpëruar. “Nëse ajo vërtet e dëshiron, mund ta ketë”, u shpreh Asllani për gazetarët. “Unë kam kaq shumë fanella në shtëpi gjithsesi”.
35-vjeçarja, me prindër nga Kosova, u emocionua kur e kuptoi se tifozeja ishte shqiptare dhe i ishte drejtuar në shqip. “Ishte e këndshme, e dija që ishte nga Kosova. Ishte shumë e ëmbël, e meritonte”, tha ajo.
Gruaja që e mori fanellën, e identifikuar nga gazeta suedeze Expressen si Flora, 60-vjeçare që jeton në Gjenevë, tregoi se Asllani është lojtarja e saj e preferuar. Ajo tha se do ta çojë fanellën në Kosovë, për ta ndarë gëzimin me tifozët e saj atje.
Ky moment prekës ka fituar zemrat e shumë tifozëve në rrjetet sociale, duke e theksuar lidhjen e fortë emocionale që Asllani vazhdon të ketë me rrënjët e saj shqiptare.