Protestë paqësore në Lipjan: “Drejtësi për Agonin”

Sot, me fillim nga ora 11:00, para stacionit policor në Lipjan do të mbahet një protestë paqësore nën moton “Drejtësi për Agonin”. Protesta është organizuar nga familjarët dhe miqtë e të ndjerit Agon Zejnullahu, raporton Klan Kosova.
Agon Zejnullahu, 27 vjeç, humbi jetën në rrethana ende të paqarta në orët e para të 7 korrikut në qytetin e Lipjanit. Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka ngjallur reagime të shumta në rrjete sociale.
Për vdekjen e tij janë arrestuar dhe ndaluar pesë zyrtarë policorë, të cilët dyshohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”. Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë ende në zhvillim.
Familjarët e Agonit kërkojnë drejtësi dhe transparencë të plotë nga organet e rendit dhe të drejtësisë, ndërsa protestuesit pritet të bëjnë thirrje për ndriçimin e plotë të rrethanave që çuan në humbjen e jetës së të riut.