Kosova U17 (vajza) e nis me fitore fushatën kualifikuese për Euro 2026

Kombëtarja e Kosovës U17 në konkurrencën e vajzave e ka nisur në mënyrën më të mirë fushatën kualifikuese për Kampionatin Evropian 2026, duke triumfuar ndaj Moldavisë me rezultat minimal 1:0.
Ndeshja u zhvillua në kuadër të Grupit B të Ligës B, i cili po mbahet në Moldavi. Vashat dardane, të drejtuara nga përzgjedhësja Sanije Krasniqi, dominuan gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar shumë raste shënimi dhe duke goditur dy herë shtyllën e portës kundërshtare.
Goli i fitores erdhi në minutën e 75-të, kur Jonida Godeni realizoi një gol të bukur nga gjuajtja e lirë, duke vulosur suksesin e merituar të Kosovës.
Pas ndeshjes, përzgjedhësja Krasniqi u shpreh e kënaqur me paraqitjen dhe angazhimin e lojtareve:
“Si gjithmonë, ndeshja e parë kualifikuese është e vështirë. Kemi treguar lojë të mirë, e kemi qarkulluar topin me durim dhe kemi krijuar shumë raste, prej të cilave dy herë qëlluam shtyllën. Goli erdhi nga ndërprerja dhe pa dyshim që jam e kënaqur me fitoren dhe përkushtimin e vajzave. Shpresoj që kështu të vazhdojmë edhe në dy ndeshjet e ardhshme,” tha ajo.
Krasniqi shtoi se vështirësia kryesore për ekipin lidhet me terrenin:
“Sfida jonë kryesore është fusha me bari natyral, pasi shumica e lojtareve tona janë mësuar të stërviten dhe të luajnë në fusha me bari artificial, çka ndikon në qarkullimin e topit dhe aspektin fizik të tyre.”
Kosova U17 do të zhvillojë ndeshjen e radhës kundër Azerbajxhanit më 27 tetor, ndërsa ciklin e ndeshjeve në grup do ta mbyllë më 30 tetor kundër Uellsit, që konsiderohet kundërshtari më i fortë i grupit.



