Kosova

Të dielën mbahet seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës

Të dielën, më 26 tetor, në orën 10:00, në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, mëson Radio Evropa e Lirë.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili doli fitues në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ka marrë mandatin nga presidentja Vjosa Osmani për formimin e ekzekutivit të ri. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ai i ka siguruar 61 votat e nevojshme për ta formuar shumicën parlamentare.

Më 21 tetor, Kurti la të kuptohet se mund të mos ketë mbështetjen e duhur për krijimin e Qeverisë, duke theksuar se “siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”. Ai shtoi se “atmosfera politike është intoksikuar shumë, ka shumë xhelozi e inate, e cinizëm më shumë sesa ide, punë e pasion”.

Presidentja Osmani e ka mandatuar Kurtin më 11 tetor, ndërsa ai ka afat deri më 26 tetor për të paraqitur përbërjen e kabinetit qeveritar dhe për të kërkuar votëbesimin e deputetëve.

Lëvizja Vetëvendosje aktualisht ka 48 ulëse në Kuvendin prej 120 vendesh, ndërsa ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me Partinë Demokratike të Kosovës dhe me Listën Serbe.

Nëse LVV-ja nuk arrin të sigurojë votat e nevojshme, presidentja Osmani, brenda dhjetë ditësh, duhet t’i ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për një mandatar të ri. Në rast se as përpjekja e dytë për formimin e Qeverisë dështon, Kushtetuta parasheh që presidentja të shpallë zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh.

/REL/

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button