Rajoni

Kroacia rikthen shërbimin ushtarak të detyrueshëm për të rinjtë

Parlamenti kroat ka miratuar sot ndryshimet në Aktin e Mbrojtjes, duke konfirmuar rikthimin e stërvitjes bazë ushtarake të detyrueshme. Me 84 vota pro, 30 abstenime dhe 11 kundër, ligjvënësit kroatë i hapën rrugën një prej reformave më të debatueshme në fushën e sigurisë së vendit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, trajnimi bazë ushtarak (TVO) do të zgjasë dy muaj, ndërsa thirrjet e para pritet të nisin deri në fund të këtij viti. Rekrutët e parë do të sistemohen në kazermat e Kninit, Slunjit dhe Pozhegës në fillim të vitit të ardhshëm.

Çdo vit planifikohet të thirren rreth 4,000 rekrutë, të ndarë në pesë breza.

Kush do të thirret?

Në program do të përfshihen të gjithë të rinjtë 18-vjeçarë, të regjistruar në regjistrin ushtarak, të cilët do të dërgohen në stërvitje gjatë vitit kur mbushin 19 vjeç. Përpara nisjes, ata do t’i nënshtrohen një kontrolli mjekësor, i cili do të përcaktojë nëse janë të aftë për shërbim ushtarak.

Kontrolli do të zhvillohet afër vendbanimit të secilit rekrut, për të lehtësuar pjesëmarrjen. Në varësi të gjendjes shëndetësore, kandidatët mund të:

dërgohen në stërvitje,

marrin shtyrje të ligjshme deri në moshën 29 vjeç,

ose të përjashtohen nga detyrimi ushtarak sipas kushteve ligjore.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur gjithashtu se, në raste të veçanta, rekrutët deri në moshën 30 vjeç mund të thirren për shërbim, sidomos nëse më parë kanë pasur shtyrje për arsye studimi ose për shkak të angazhimit në gara ndërkombëtare sportive.

Ky vendim shënon rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Kroaci, i cili ishte pezulluar në vitin 2008, dhe vjen në një kohë kur shumë vende të Evropës po rishikojnë strategjitë e tyre të mbrojtjes për shkak të zhvillimeve gjeopolitike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button