
Gazetari Klodian Tomorri u shpreh se, përfshirja e bandave kriminale në fushatën zgjedhore, janë një problem shumë serioz, të cilin opozita duhet ta denoncojë në çdo kancelari të BE-së.
Gjatë diskutimit në ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, Tomorri u shpreh se, një tjetër problem i madh është fakti se, në fushatë haptas kanë dalë drejtorët e administratës publike. ‘Ç’punë ka drejtori i KESH, OSHEE, OST apo kompani të tjera publike, Albpetrolit apo tjetër’, tha Klodian Tomorri në SYRI TV, duke akuzuar drejtorët e ministrisë së Belinda Ballukut, se janë duke shkelur ligjin.
‘Përfshirja e bandave në zgjedhje përmes presioneve, blerjes së votës etj., është problem shumë serioz.
Unë jam pak skeptik që tu themi shqiptarëve, që dilni ju masivisht që përveç Ramës të mundim dhe bandat.
Sistemi ynë elektoral është i tillë që me pak hile, ti merr qeverinë. Është shumë e vështirë ta rikuperosh, sepse ashtu është formula që prodhon mandate.
Opozita duhet të fillojë denoncime publike, nëse ka informacione të asaj që po ndodh në terren.
Duhet ti bëjë këto denoncime në çdo kancelari europiane dhe të gjithë duhet të jenë të qartë që ky fenomen po ndodh, sepse kjo është mënyra e vetme që unë shoh për ta vendosur mazhorancën para përgjegjësisë.
Përveç kësaj që është më madhori, kemi dhe probleme të tjera, se këtu përdoret administrata haptazi. Drejtorë të agjencive shtetërore, drejtor të kompanive publike që dalin në fushatë si ushtarë. Ç’punë ka drejtori i KESH, OSHEE, OST apo kompani të tjera publike, Albpetrolit apo tjetër.
Teorikisht ata janë njerëz teknik, specialistë që janë aty si administratorë, të vendosur për të administruar një aset publik. Si merren këta njerëz dhe nxirren haptazi në fushatë, përdorin resurset dhe asetet publike.
Në 2021 Edi Rama u përshëndet kur nuk kishte filluar ende numërimi i votave. Edi Rama nuk mendoj se do ta ketë më kaq të lehtë. Nuk mendoj se doli uji në një fushë pa një lloj përgjegjësi dhe frike’, deklaroi gazetari Klodian Tomorri në SYRI TV.