Lajme

Kapet në Tiranë 36-vjeçari nga Lezha, i shpallur në kërkim për trafik droge – vijon operacioni “Vakumi”

Një 36-vjeçar nga Lezha është vënë në pranga nga policia, pasi ishte shpallur në kërkim për trafikim të lëndëve narkotike, në kuadër të operacionit policor të koduar “Vakumi”.

I arrestuari, Mir Ndoj, u kap në Tiranë teksa udhëtonte me taksi, falë bashkëpunimit mes strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Nr. 3 në kryeqytet. Ai akuzohet se, në bashkëpunim me një tjetër shtetas të arrestuar pesë ditë më parë, po transportonte rreth 34 kg lëndë narkotike të dyshuar si kanabis sativa në fshatin Balldre të Lezhës.

Gjatë ndërhyrjes së parë të policisë në Balldre, Ndoj kishte arritur të largohej duke përfituar nga errësira dhe njohja e terrenit. Por pas ndjekjes dhe informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, ai u lokalizua dhe arrestua në Tiranë.

Të dy të arrestuarit dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal që merret me kultivimin, prodhimin dhe shitjen e drogës në zonën e Lezhës.

Policia njofton se operacioni “Vakumi” vijon dhe se po punohet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të këtij grupi. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme ligjore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button