Lajme

Fier, Prokuroria çon në gjyq shtetasin H.Gj. për votim të dyfishtë në zgjedhjet vendore në Lushnjë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin H.Gj., i akuzuar për veprën penale “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar”, parashikuar nga neni 327/a, pika 1 e Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal nr.108 të vitit 2023, është provuar se i pandehuri H.Gj. ka votuar dy herë gjatë zgjedhjeve të pjesshme vendore të zhvilluara më 6 mars 2022 në Bashkinë Lushnjë. Ai ka hedhur votën fillimisht si komisioner në Qendrën e Votimit nr. 2818 të Njësisë Zgjedhore ZAZ 54, në Dushk, dhe më pas ka votuar për herë të dytë në QV nr. 2817 të së njëjtës njësi, këtë herë në cilësinë e banorit.

Shkelja është zbuluar përmes kryqëzimit të të dhënave të pajisjes elektronike të identifikimit të zgjedhësve (PEI), e vendosur në çdo qendër votimi në Republikën e Shqipërisë.

Prokuroria e Fierit thekson angazhimin e saj të plotë për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore çdo person që cënon integritetin e zgjedhjeve të lira dhe sistemin demokratik në vend.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button