Lajme

Jorida Tabaku nga Partia Demokratike viziton punonjëset e një fasonerie në Tiranë: “Ju jeni heroinat e ekonomisë familjare shqiptare

Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në Tiranë, Jorida Tabaku, zhvilloi sot një vizitë në një nga fasoneritë e kryeqytetit, ku takoi nga afër punonjëset dhe u njoh me sfidat e tyre të përditshme. Ajo diskutoi me to mbi vështirësitë ekonomike dhe koston e lartë të jetesës, duke vënë theksin te roli i pazëvendësueshëm që gratë punëtore kanë në ekonominë familjare.

“Jam shumë e gëzuar që zonjat më mbështesin dhe realisht shumë e privilegjuar për këtë mbështetje. Ju falenderoj që më dhatë mundësinë t’ju flas,” – u shpreh Tabaku, duke i cilësuar gratë punëtore si “heroinat e vërteta të ekonomisë familjare shqiptare”.

Gjatë takimit, Tabaku foli edhe për programin ekonomik të Partisë Demokratike, duke e konsideruar vendosjen e taksës së sheshtë 10% si një ndër politikat kyçe që do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“E di shumë mirë që zgjoheni më herët se unë, që pas punës shkoni në shtëpi dhe merreni me punët atje, përfshirë edhe buxhetin e familjes. E di sa mirë e kuptoni kur flas për taksën e sheshtë 10%. Sepse kjo do të thotë më shumë para në xhepin tuaj dhe të familjes suaj. Më shumë para për sipërmarrjen që do të përkthehet në më shumë rroga për ju,” – deklaroi ajo.

Në përmbyllje të vizitës, kandidatja demokrate theksoi se vota e 11 majit është një votë për ekonominë e familjes, për më shumë drejtësi dhe dinjitet në punë, si dhe për një shtet që i lehtëson qytetarët, jo i rëndon ata.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button