KryesoreLajme

Hetim urgjent për rastin e të miturit që u vetëvar në Gjirokastër – Prokuroria përjashton ngacmimet nga bashkëmoshatarët

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Gjirokastër ka nisur hetimet lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 20 prill 2025, ku një i mitur, shtetasi V.P., 15 vjeç, u gjet i vetëvarur, në ambientet e jashtme të banesës së tij në fshatin Valare.

Menjëherë pas njoftimit nga Komisariati i Policisë Gjirokastër, është ngritur grupi hetimor me urdhër të Drejtuesit të Prokurorisë dhe në prani të prokurorit të seksionit për të mitur dhe prokurorit të gatshëm. Sipas Prokurorisë, janë kryer veprimet e para hetimore nën drejtimin e saj, përfshirë këqyrjen e vendit të ngjarjes, ekspertizën mjeko-ligjore, sekuestrimin dhe analizimin e pajisjeve elektronike (telefona dhe kompjuterë), si dhe të materialeve shkollore të të miturit. Gjithashtu, janë marrë në pyetje persona që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, përfshirë punonjës të institucioneve përgjegjëse për trajtimin e të miturit.

Nga të dhënat e mbledhura deri më tani, Prokuroria njofton se nuk ka indicie që të tregojnë se ngjarja është pasojë e ngacmimeve apo bullizmit nga bashkëmoshatarët.

Hetimet po vijojnë me prioritet për të zbardhur plotësisht shkaqet e ngjarjes si dhe për të vlerësuar veprimet apo mosveprimet e autoriteteve përgjegjëse në trajtimin e rastit të të miturit V. P.

Njoftimi i Prokurorisë:

Informacion lidhur me ngjarjen e datës 20.04.2025

Në lidhje me ngjarjen e datës 20.04.2025, ku në ambientet e jashtme të banesës së tij në fshatin Valare, Gjirokastër është gjetur i vetëvarur, pa shenja jete, shtetasi i mitur V.P., i moshës 15 vjeçare, pasi Komisariati i Policisë Gjirokastër ka njoftuar Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, në prezencë të prokurorit të seksionit për të mitur dhe prokurorit të gatshëm, me urdhër të Drejtuesit të Prokurorisë, është krijuar menjëherë grupi hetimor, për trajtimin e çështjes. Nën drejtimin e prokurorisë janë kryer veprimet e para hetimore, të cilat konsistojnë në këqyrjen e vendit të ngjarjes, kryerjen e ekspertimit mjeko ligjor, sekuestrimin e telefonave, aparateve kompjuterike si dhe këqyrja e tyre, sekuestrimi i materialeve shkollore të fëmijës së mitur, si dhe janë marrë deklarime në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të ngjarjes të punonjësve përgjegjës për trajtimin e të miturit. Nga të gjitha veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit, nuk konstatohet asnjë e dhënë apo indice e cila të dëshmojë se veprimi i kryer nga ana e të miturit, ka si shkak ngacmimet apo sjelljet bullizuese nga bashkëmoshatarët e tij.

Prokuroria Gjirokastër po vijon me prioritet të veçantë hetimet, në lidhje me zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe të veprimeve të kryera nga ana e autoriteteve përgjegjëse, kompetente lidhur me trajtimin e rastit së të miturit V. P.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button