Greqia zyrtarizon Planin Hapësinor Detar, publikohen pretendimet në hapësirat detare

Athina ka zyrtarizuar Planin Hapësinor Detar, duke publikuar për herë të parë një hartë të detajuar që shfaq pretendimet e saj në hapësirat detare, përfshirë Zonat Ekskluzive Ekonomike (ZEE). Kufijtë janë përcaktuar në bazë të marrëveshjeve me Italinë dhe pjesërisht me Egjiptin, ndërsa në zonat ku mungojnë marrëveshje bilaterale, është përdorur vija e mesme, siç përcakton ligji grek 4001/2011.
Dokumenti është botuar në gazetën zyrtare dhe është dorëzuar në institucionet evropiane, duke përfaqësuar një hap të rëndësishëm të Greqisë për të sfiduar pretendimet e Turqisë në Mesdhe, të cilat mbështeten në memorandumin e nënshkruar me Libinë – një marrëveshje që ka shkaktuar përplasje diplomatike dhe reagime të ashpra nga Athina.
Përmes këtij plani, Greqia thekson të drejtën për të ushtruar ndikim të plotë jo vetëm mbi brigjet kontinentale, por edhe mbi ishujt, duke shtrirë kufijtë e ZEE-së deri në zonën perëndimore të Qipros. Dokumenti përfshin gjithashtu edhe ujërat territoriale ekzistuese, të përcaktuara me 12 milje në Detin Jon dhe 6 milje në pjesën tjetër të hapësirës detare, me të drejtë zgjerimi deri në 12 milje, në përputhje me Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit.
Ky zhvillim ndodh në një kohë tensioni të lartë në Mesdheun Lindor, duke nxitur ndërlikime të reja gjeopolitike dhe duke theksuar rëndësinë e diplomacisë ndërkombëtare në trajtimin e çështjeve të sovranitetit detar.